Osmani dhe Roykind me gjashtë ndërhyrje urbanistike për transformimin e plotë të Çairit

„Ne nuk ndërtojmë vetëm ndërtesa, ne zgjidhim probleme. Bëjmë projekte për njerëzit dhe ua kthejmë qytetin njerëzve.“

Me këtë mesazh filloi pjesa kryesore e prezantimit të „Vizion Çair 2040“, ku kandidati për kryetar komune Bujar Osmani dhe arkitekti botëror Michel Roykind paraqitën strategjinë për transformimin e Çairit nga një mozaik urban kaotik në një qytet të denjë dhe funksional për jetesë.

Në fjalimin e tij, Osmani theksoi se projekti nuk bazohet në ambicie politike, por në sfida reale dhe nevoja që qytetarët i përjetojnë çdo ditë:
„Çdo projekt që e bëjmë, në fakt, është zgjidhje e ndonjë problemi. Prej aty nisëm dhe kështu e krijuam vizionin për Çairin, në gjashtë kapituj që dolën pikërisht nga problemet.“

Këto gjashtë kapituj, siç shpjegoi Osmani, janë drejtpërdrejt të fokusuar në temat më të ngutshme në komunë:

Zgjidhje për lëvizjen e lirë:
Kaosi me parkimin, rrugët jofunksionale dhe zonat e dobëta për këmbësorë krijojnë stres të përditshëm. Vizioni parasheh ridizajnim të plotë të rrjetit rrugor dhe trotuareve me prioritet sigurinë e këmbësorëve.

Dendësi asimetrike e popullsisë:
Çairi është komuna më e dendur në Evropë. Plani ofron model të zhvillimit të balancuar, me hapësira të reja publike dhe ristrukturim të pjesëve të paplanifikuara.

„Çairçanka“ si shembull i mossuksesit:
Osmani e quajti „Çairçanka“-n simbol të kaosit dhe lënies pas dore, por edhe mundësi për korrigjim përmes ridizajnimit të plotë, funksioneve të reja dhe krijimit të një hapësire publike të denjë.

Sipërfaqe të gjelbra:
Hapet një kapitull i ri për rikthimin e gjelbërimit në çdo bllok, çdo rrugë, çdo hyrje.

Hapësirë publike për komunitetin:
Ideja është e qartë: „nga qorrsokak urban, në agorë urbane“. Hapësira që do ta rikthejnë dinamizmin shoqëror, sigurinë dhe respektin mes fqinjëve.

Infrastrukturë me vizion:
Infrastruktura ridizajnohet nga e para, me parime teknologjike dhe ekologjike, të përshtatura për të ardhmen.

„Ky është projekt që në fokus i ka të gjithë njerëzit, nga një grua shtatzënë që nuk ka trotuar, deri te një fëmijë në karrocë që nuk ka hije. Ky është vizion që e kthen dinjitetin, lëvizjen, ajrin, shpresën,“ përfundoi Osmani.

Osmani dhe Roykind me gjashtë ndërhyrje urbanistike për transformimin e plotë të Çairit