Osman Kadriu: Ligji i gjuhëve do të shqyrtohet pas zgjedhjeve lokale

Ligji për përdorimin e gjuhëve, do të vendoset në rend dite në njërën nga seancat e Gjykatës Kushtetues, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Këtë e paralajmëroi gjykatësi i Kushtetueses, Osman Kadriu në Intervistën për Alsat.

Ai theksoi se kushtetuesja do të përballet përsëri me problem rreth numrit të gjykatësve, pasi me një anëtar më pak, për këtë lëndë nuk mund të merret vendim.

“Do të pritet të rrumbullaksohet procedura e zgjedhjeve lokale dhe pas tyre do të përpilohet një agjendë, një dinamikë e aktiviteteve të gjykatës, rreth ligjit për gjuhët. 19:16 përsëri këtu do të hasim në një problem rreth numrit të gjykatësve, se për këto çështje gjykata do të vendos vetëm nëse është e kompletuar me 9 anëtarë, siç është paraparë me Kushtetutë, ne për momentin jemi 8 anëtarë, me 8 anëtarë, rëndë do të jetë të sillet një vendim i tillë”, tha Osman Kadriu, Gjykatës Kushtetues.

Kadriu nuk precizoi nëse dhe cilat dispozita të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve mund të preken.

“A çka do të kontestohet, cilat dispozita, a do të preket a nuk do të preket, ato janë çështje faktike, aktuale, për të cilat do të vendosim atëherë kur do të vendosim”, theksoi Osman Kadriu, Gjykatës Kushtetues.

Termini për këtë seancë do të duhet të harmonizohet edhe me mundësitë e përfaqësuesve të komisionit të Venecias dhe atyre të gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, të cilët do të duhet të jenë prezentë.

Ndryshe në maj të këtij viti, një muaj para mbajtjes së seancës përgatitore të ligjit për përdorimin e gjuhëve Gjykata Administrative lëshoi një vendim me të cilin u anulua vendimi i Kuvendit për emërimin e gjyqtares kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila ishte referuese e lëndës së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Kjo çoi në prolongimin e seancës përgatitore, pasi gjykata paraprakisht kishte miratuar një konkluzion se për këtë ligj, duhet të vendoset me përbërje të plotë të Kushtetueses.

Ndaj Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ka gjithsej 13 iniciativa nga 46 subjekte denoncuese, që përfshijnë thuajse tërë ligjin, pra të gjitha 25 nenet, përveç nenit 1 paragrafi 1. / Alsat.mk