OKB ngre alarmin për gjenocidin në Gaza: Rajoni është kthyer në varrezë

Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Volker Turk, ka shprehur shqetësimin e thellë për atë që ai e cilësoi si “retorikë të hapur gjenocidi” nga zyrtarë të lartë izraelitë në lidhje me ofensivën në Gaza, duke bërë thirrje për veprime të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë fund gjakderdhjes.

Sipas tij, situata në enklavën palestineze është përshkallëzuar deri në atë pikë sa “Gaza është kthyer në një varrezë”.

Nga ana tjetër, Izraeli ka mohuar akuzat për kryerje të gjenocidit, duke theksuar se qëllimi i operacioneve ushtarake është neutralizimi i organizatës militante Hamas dhe shpëtimi i pengjeve. Kështu raportojnë mediat ndërkombëtare.

Duke folur në hapjen e sesionit të 60-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Turk dënoi ashpër veprimet e Izraelit në Gaza, duke përshkruar ato si “vrasje masive të civilëve palestinezë, shkaktim të vuajtjeve të pamatshme dhe shkatërrim të përgjithshëm”.

Ai shtoi se pengimi i ndihmës humanitare thelbësore, uria e shkaktuar ndaj popullatës civile, vrasjet e gazetarëve, punonjësve të OKB-së dhe të organizatave joqeveritare, si dhe kryerja e krimeve të luftës njëra pas tjetrës, po tronditin ndërgjegjen botërore.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga përdorimi i papenguar i gjuhës gjenocidale dhe procesi i turpshëm i çnjerëzimit të palestinezëve nga disa zyrtarë të lartë izraelitë”, deklaroi Turk.

Ai theksoi gjithashtu se, gati dy vite pas fillimit të konfliktit të ashpër që pasoi sulmin vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, e gjithë rajoni “është në kërkim të paqes”.

“Gaza është bërë një varrezë”, përfundoi ai me një ton të rëndë.