“Nuk u habita me Rashford” – Hansi Flick flet për lojën e anglezit ndaj Newcastle

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, u shfaq i kënaqur pas fitores së skuadrës së tij në debutimin e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve 2025/26, ku katalanasit mposhtën Newcastle në “St. James’ Park”.

Fillimi i mbarë për katalanasit erdhi fal dy golave të Marcus Rashford që u kthye me stil në Angli, pas transferimit të kësaj vere.

“Ishte shumë e rëndësishme të fillojmë Ligën e Kampionëve me tre pikë në një stadium kaq të vështirë si ky. Pamë një paraqitje shumë të mirë nga skuadra”.

“U thamë lojtarëve se duhej të mbroheshim fort në 15 minutat e para, sepse Newcastle është shumë i rrezikshëm në duelet një kundër një. Mendoj se ishim të mirë gjatë gjithë ndeshjes. Në pjesën e parë patëm 64% të posedimit të topit, edhe pse bëmë disa gabime të panevojshme”.

Flick nuk e fshehu kënaqësinë për dy golat e shënuar nga Marcus Rashford, por theksoi se talenti i tij nuk është surprizë.

“Shënoi dy gola shumë të bukur. Goditja me kokë ishte e shkëlqyer, por edhe goli i dytë ishte fantastik. Gjëja më e rëndësishme është që po fiton vetëbesim. Ne po e ndihmojmë dhe nuk jam aspak i befasuar nga paraqitja e tij”, deklaroi Flick.