Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu reagoi ndaj njohjes së Palestinës nga Britania, Kanadaja dhe Australia duke premtuar se “nuk do të ketë shtet palestinez.”
“Kam një mesazh të qartë për ata liderë që po njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit: ju po i jepni një shpërblim të madh terrorit”, tha Netanyahu dje.
Udhëheqësi izraelit tha se, pavarësisht presionit të madh, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht, ai e ka penguar për vite me radhë themelimin e asaj që e quajti një “shtet terrorist”, shkruan CNN.
“E bëmë këtë me vendosmëri dhe me mençuri diplomatike. Madje, kemi dyfishuar vendbanimet hebraike në Jude dhe Samari – dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë”, tha ai, duke përdorur termin që zakonisht përdoret në Izrael për t’iu referuar Bregut Perëndimor të pushtuar.
“Përgjigja ndaj përpjekjes më të fundit për të na imponuar një shtet terrorist në zemër të tokës sonë do të jepet pas kthimit tim nga Shtetet e Bashkuara. Prisni për të”, shtoi Netanyahu.