Njerëzit me çrregullime mendore kanë më shumë gjasa të martohen me njëri-tjetrin

Një studim i ri ka treguar se personat me çrregullime mendore kanë më shumë gjasa të martohen me dikë që vuan nga e njëjta gjendje, sesa me një partner pa diagnozë.

“Ky model qëndron në vende të ndryshme, kultura të ndryshme dhe, natyrisht, edhe në breza të ndryshëm”, tha Chun Chieh Fan, bashkautor i studimit dhe hulumtues në Laureate Institute for Brain Research, për revistën Nature, raporton The New York Post.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor në SHBA, në vitin 2022 çrregullimet psikiatrike prekën 23.1 për qind të të rriturve, rritje e ndjeshme krahasuar me 18.1 për qind që ishte dy dekada më parë.

Studime të mëparshme kishin treguar se kur njëri bashkëshort përballet me probleme të shëndetit mendor, tjetri ka dy deri në tre herë më shumë gjasa të zhvillojë stres, ankth apo depresion.

Por ky hulumtim i fundit sugjeron se çrregullimet mendore jo vetëm që mund të vënë marrëdhëniet në provë, por edhe të ndikojnë në formimin e tyre.

Studiuesit kanë analizuar të dhëna të mbi 14.8 milionë njerëzve në Tajvan, Danimarkë dhe Suedi, duke shqyrtuar nëntë çrregullime psikiatrike: skizofreninë, çrregullimin bipolar, depresionin, ankthin, çrregullimin e vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), autizmin, çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), varësitë nga substancat dhe anoreksinë.

Rezultati tregoi se njerëzit me diagnozë psikiatrike kishin dukshëm më shumë gjasa të martoheshin me persona që vuanin nga çrregullime të ngjashme, shpesh edhe nga i njëjti çrregullim. Ky model është forcuar vazhdimisht nga vitet 1930 deri në vitet 1990.

“Pavarësisht ndryshimeve kulturore, modelet e lidhjes martesore midis çrregullimeve psikiatrike ndryshojnë shumë pak mes Tajvanit dhe vendeve nordike”, thuhet në raportin e studimit.

Në Tajvan, çiftet kishin më shumë gjasa të ndanin diagnozën e OCD-së krahasuar me homologët e tyre në vendet nordike.

Sa i përket arsyes pse persoant me çrregullime mendore priren të martohen me njëri-tjetrin, Fan ka sugjeruar disa shpjegime.

“Ndoshta ata e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin për shkak të vuajtjes së përbashkët, prandaj ndihen të tërhequr ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Një tjetër faktor është fenomeni i quajtur “konvergjencë”, kur partnerët bëhen gjithnjë e më të ngjashëm me kalimin e kohës për shkak të mjedisit të përbashkët.

Po ashtu, stigma sociale shpesh e ngushton rrethin e mundshëm të partnerëve, duke ndikuar te zgjedhjet martesore.

Studimi zbuloi edhe një gjetje: fëmijët me dy prindër që vuajnë nga i njëjti çrregullim kanë dyfish më shumë gjasa ta trashëgojnë atë, krahasuar me fëmijët që kanë vetëm njërin prind të prekur.

Ky rrezik ishte më i lartë te skizofrenia, depresioni, çrregullimi bipolar dhe varësia nga substancat narkotike, gjendje që kanë komponentë të fortë gjenetik.

Në SHBA, sipas National Alliance on Mental Illness, një në gjashtë të rinj të moshës 6 deri në 17 vjeç përjeton çdo vit një çrregullim të shëndetit mendor.

Pasojat shkojnë përtej mendjes, për shembull, depresioni rrit me 40 për qind rrezikun për sëmundje të zemrës dhe metabolizmit.

Edhe marrëdhëniet martesore preken ndjeshëm.

Kur një partner vuan nga problemet mendore, rritet rreziku për divorc.

Kur të dy partnerët përballen me të njëjtën gjendje, ky rrezik është edhe më i lartë.