Ndalimi i aksesit në mediat sociale nga të miturit nën moshën 15 vjeç, si dhe bllokimi i të miturve nën moshën 18 vjeç nga shfletimi i platformave të basteve online dhe shitjes së produkteve të duhanit, parashikohet në planin që po përgatit qeveria greke së fundmi.
Siç theksojnë burime qeveritare për “Protothema”, Greqia do të jetë gati deri në fund të tetorit të bëhet vendi i parë evropian që do të vendosë kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit me qëllim mbrojtjen e tyre.
Më herët ka qenë Australia që mori vendimin të ndalojë aksesin në rrjetet sociale nga të miturit nën moshën 16 vjeç (nga 10 tetori) dhe platformat e takimeve online me qëllim mbrojtjen e tyre nga manipulimi logaritmik dhe ngacmimi seksual.
Kurse tani edhe BE po përgatit diçka të ngjashme.
Me Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen që deklaroi se “Franca, Spanja, Greqia, Danimarka dhe Italia po testojnë planin e Komisionit për të zbatuar verifikimin e moshës në aplikacionet e tyre kombëtare”, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis konfirmoi pjesëmarrjen e vendit në program.
Ai u shpreh ndër të tjera se “po shqyrtojmë ndalimin e përdorimit të mediave sociale nga mosha 16 vjeç e poshtë, siç bëhet në Australi”.