Përgjigja e Izraelit ndaj njohjes së shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja do të vijë pasi ai të kthehet nga SHBA-ja javën e ardhshme, tha kryeministri Benjamin Netanyahu.
“Kam një mesazh të qartë për ata udhëheqës që njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit – ju po i jepni një shpërblim të madh terrorit”, thotë Netanyahu në një deklaratë video.
“Kjo nuk do të ndodhë. Një shtet palestinez nuk do të krijohet në perëndim të Jordanit”, vazhdon ai. Netanyahu mburret se nën udhëheqjen e tij, Izraeli “dyfishoi vendbanimet hebraike në Jude dhe Samari – dhe ne do të vazhdojmë në këtë kurs”.
“Përgjigja ndaj përpjekjes së fundit për të na imponuar një shtet terrorist në zemër të tokës sonë do të jepet pas kthimit tim nga Shtetet e Bashkuara. Pritni”, thotë Netanyahu.
Anëtarët e koalicionit të tij po shtyjnë hapur që Izraeli të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor, veçanërisht Luginën e Jordanit.