Netanyahu akuzon kryeministrin belg për njohjen e Palestinës si ‘ekuivalente me terrorizmin’

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi sot kryeministrin belg Bart de Wever, duke e quajtur atë një “lider të dobët që po përpiqet të qetësojë terrorizmin islamik duke sakrifikuar Izraelin”, një ditë pasi Brukseli njoftoi se do të njihte një shtet palestinez.

“Kryeministri belg Bart de Wever dëshiron ta ushqejë krokodilin terrorist përpara se ai të përpijë Belgjikën”, tha zyra e kryeministrit izraelit në një postim në rrjetin social X, duke shtuar se Izraeli “do të vazhdojë të mbrohet”.

Qeveria izraelite ka shprehur pakënaqësinë e saj ndaj njoftimeve nga Franca, Britania, Kanadaja, Australia dhe tani Belgjika, se do ta njohin zyrtarisht shtetin palestinez gjatë një takimi të liderëve botërorë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë muaj.

Më herët, Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prevost, njoftoi se Belgjika do t’i bashkohet grupit të vendeve që do ta njohin shtetin e Palestinës në sesionin e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të vendosin sanksione ndaj Izraelit për shkak të luftës në Gaza.

Njohja e Palestinës do të formalizohej vetëm nëse Hamasi liron të gjithë pengjet e mbetura izraelite të marra në sulmin e 7 tetorit 2023 dhe nëse grupi militant “nuk ka më asnjë rol në qeverisjen e Palestinës”, tha Prevost, raportoi Politico.

Ndërkohë, ministri belg njoftoi se Belgjika do të vendosë gjithashtu “sanksione të ashpra” ndaj qeverisë izraelite.

Prevost tha se dy ministra izraelitë “ekstremistë”, disa “kolonë të dhunshëm” dhe udhëheqës të Hamasit do të shpallen “persona non grata” në Belgjikë.