Në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, arrestohen vëllezërit Bushgjokaj

Policia ka arrestuar në Tiranë vëllezërit Krist Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj të cilët ishin në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës në Mat.

“Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet”, bëri me dije policia.

23-vjeçari Renis Dobra dyshohet se u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut, pasi fillimisht u mor peng.

Trupi i tij u gjet buzë lumit të Shkopetit, ndërsa makina ishte në ujë. Policia zbardhi vrasjen pas këqyrjes së një sërë kamerash sigurie, të cilat i çuan te makinat me qira që autorët e dyshuar kishin marrë për disa ditë me radhë.

Dyshohet se prishja e pazareve të drogës në Gjermani ishte shkaku i vrasjes së Renis Dobrës.

23-vjeçari ishte i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.