Ndërroi jetë në Turqi gazetarja e njohur nga Kosova

Ka ndërruar jetë në moshën 49 vjeçare në Stamboll të Turqisë, ku edhe jetonte me familjen e saj, pejania Mirlinda Imami, autore e emisioneve argëtuese e motivuese ‘Qejfi më i madh se Stambolli’.

Mirlinda Imami, në rininë e saj, gjatë viteve të 90-ta, ishte një nga figurat ikonike të qytetit të Pejës, e njohur për inkorporimin e frymës moderne evropiane tek rinia qytetare.

Në rrethin e saj të gjerë shoqëror, për kohën, shquhej për guximin dhe temperamentin që e dallonte nga gjenerata e saj, me vendosmërinë për ti bërë gjërat ndryshe, përcjell Periskopi.

Virtyt që e karakterizonte për ta bërë dallimin nga brezi i bashkë-kohanikëve të saj, ishte gatishmëria për ndërmarrësi dhe dashuria për të tjerët.

E ndjera, prej muajsh u diagnostikua nga sëmundja e rëndë ndërsa nga muaji Korrik i këtij viti po trajtohej në qendrat më të njohura spitalore të Turqisë, shteti ku ajo kishte ndërtuar familjen e saj.

Më 14 Gusht, Imami, kishte konfirmuar sëmundjen e rëndë në rrjetet sociale, ku me pak rreshta dhe shumë optimizëm kishte treguar se po kryente trajtime mjekësore.

E ndjera, pas vetës ka lënë bashkëshortin turk dhe dy fëmijët, (vajzë dhe djalë).

Lajmin për vdekjen e saj, e kanë bërë publik, familja e ngushtë e saj në Pejë.