Reperi i njohur, Mozzik, ka reaguar sot pas raportimeve të mbrëmshme për një arrestim të tij në aeroportin e Prishtinës. Përmes një postimi në Instagram, ai shfaqet përkrah avokatit të tij, Arianit Koci, duke sqaruar se gjithçka lidhet me një orë të markës “Richard Mille”.
“Sapo dhashë deklaratë, në prezencë të avokatit tim Arianit Koci, lidhur me çështjen e mbrëmjes së kaluar për orën e dorës Richard Mille. Mediat që kanë raportuar për një arrestim që nuk ka ndodhur, nuk kanë vepruar drejt. Po ashtu, raportimet për kinse borxh ndaj ATK janë të pavërteta – vetëm rrena dhe shpifje,” ka shkruar Mozzik.
Ai shtoi se nuk i jep peshë të tillave lajme dhe i përballon me qetësi, duke theksuar se nuk ndodhet para asnjë problemi serioz.
Në fund, Mozzik ka uruar gjithë ndjekësit që të flenë të qetë dhe ka dërguar një mesazh edhe për ata që, sipas tij, “po shkruajnë keq”:
“Ju dua edhe juve që po shkruani keq!” – ka përfunduar reperi.