Momenti i mikrofonit të ndezur mes Putinit dhe Jinpingut nuk ishte gjëja më e çuditshme që doli nga Kina

Momenti më famëkeq i një mikrofoni të ndezur, pa e ditur folësit [hot mic], ndodhi në kulmin e Luftës së Ftohtë kur presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, deklaroi: “Fillojmë bombardimin [e BRSS-së] për pesë minuta” para një fjalimi kombëtar (i cili, për fat, ishte i regjistruar paraprakisht, kështu që paralajmërimi nuk u transmetua kurrë). Por, copëzat e bisedës së çuditshme të përkthyer mes liderëve të Rusisë dhe Kinës, këtë javë, duhet të zënë vendin e dytë më të çuditshëm.

Nëse pyetja është: për çfarë bisedojnë autokratët globalë kur mbesin vetëm për llafe të zakonshme, atëherë përgjigjja duket se është transplantet e organeve dhe potenciali që ato mund të ofrojnë jetë më të gjatë, nëse jo të përjetshme. Sa i përket mundësisë që e gjithë ngjarja të jetë fabrikuar për qëllime propagandistike, natyra krejtësisht befasuese e temës sugjeron absolutisht të kundërtën.

Askush, as për një milion vjet, nuk do ta kishte imagjinuar një gjë të tillë, edhe nëse mund të përshtatet lehtësisht me paragjykimin se udhëheqësit diktatorialë nuk duan gjë tjetër veçse të qëndrojnë në pushtet përgjithmonë – dhe nëse përparimet në dhurimin e organeve e mundësojnë këtë, atëherë pse jo! As Xi Jinping dhe as Vladimir Putin nuk përballen me kufizime reale mandati, ndaj kapaciteti fizik, në kundërshtim me ndonjë pengesë ligjore, mund të shihet si pengesa e vetme ndaj pushtetit të përjetshëm.

Sidoqoftë, copëzat e dëgjuara ofruan një shpërqendrim të mirëpritur për botën perëndimore nga demonstrimi shumëditor i potencialit në rritje të Kinës për të udhëhequr një rend alternativ global ndaj Perëndimit global. Me Rusinë e shtyrë në atë bllok nga ajo që ajo e sheh si një përpjekje perëndimore për ta izoluar – që përpara pushtimit të Ukrainës në vitin 2022 – dhe me perspektivat e shkatërruara – nga presioni amerikan mbi Indinë për të mos blerë naftë ruse – për një aleancë të re ShBA-Indi, ky bllok jo-perëndimor, i udhëhequr nga Kina, duket më i fortë tani sesa një javë më parë.

Parada masive e organizuar nga Pekini, për të treguar fuqinë e tij ushtarake, ishte vetëm shprehja e jashtme e asaj që Kina me siguri dëshiron të projektojë si realitet të ri. Por, dy elementë e ndërlikuan këtë pamje të Kinës si një kërcënim për Perëndimin dhe se ajo po armatoset për një përballje epike me një Amerikë që supozohet se është në rënie të pakthyeshme.

Elementi i parë është Koreja e Veriut. Kim Jong-uni, duke bërë udhëtimin e tij të parë në Kinë pas gjashtë vjetësh dhe me paraqitjen e tij të parë në një mbledhje të tillë ndërkombëtare, u pa tani si pjesë e atij blloku më të madh. Për më tepër, fotografitë e treshes Putin-Xi-Kim dukeshin sikur ishin krijuar për të projektuar një lloj uniteti kërcënues ndaj Perëndimit. Por, sa kërcënues është, realisht, ajo që mund të shihet si normalizim i Koresë së Veriut?

Ky ishte një proces që, ndoshta, filloi me vendimin ende të diskutueshëm të Donald Trumpit në mandatin e tij të parë për t’u takuar me Kimin dhe për ta trajtuar atë si një udhëheqës legjitim kombëtar. Ai legjitimitet pothuajse e ndali sjelljen e rrezikshme të Koresë së Veriut për vëmendje – përmes armëve bërthamore – përpara se gjithçka të përmbysej nga mbështetja e hapur e Joe Bidenit për Korenë e Jugut. Të shihje Kimin në Pekin, megjithatë, ishte si të shihje një udhëheqës që përpiqej të përshtatej me normat, duke veshur një kostum elegant dhe duke pasur me vete vajzën e tij (ndoshta trashëgimtaren). A është pranimi diplomatik, dhe jo izolimi, çelësi për të neutralizuar kërcënimin e padiskutueshëm që përbën një Kore bërthamore e Veriut që vepron jashtë çdo kuadri ndërkombëtar?

Një element edhe më i papritur erdhi nga mënyra se si Shtetet e Bashkuara – ose më saktë, Donald Trumpi – u përgjigjën ndaj kësaj sfide të pamohueshme nga Xi Jinpingu dhe mysafirët e tij. Etablishmenti politik amerikan ka qenë prej kohësh jashtëzakonisht i ashpër ndaj Kinës – si një konkurrent i supozuar global dhe fuqi në rritje. Në vend që të përgjigjej me të njëjtën monedhë dhe të kundërshtonte demonstrimin e forcës nga Kina, të paktën me fjalë të ashpra, siç mund të bëjë ende Kongresi, Trumpi ndoqi një qasje krejt tjetër.

Në deklaratat e tij të ndryshme, si në rrjetet sociale ashtu edhe për gazetarët, ai adoptoi një ton herë-herë kureshtar, herë-herë respektues, pa i lëshuar asnjëherë rrugë udhëheqjes nga Kina. Për fotot e Xisë, Putinit dhe Kimit së bashku, ai reagoi: “Ju lutem, përcillni përshëndetjet e mia më të përzemërta për Vladimir Putinin dhe Kim Jong-unin ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Për paradën e Kinës, ai komplimentoi Xinë për ceremoninë “e bukur” dhe “shumë, shumë mbresëlënëse”, ndërsa vuri në dukje se “shumë amerikanë humbën jetën në kërkimin e Kinës për fitore dhe lavdi” dhe shprehu shpresën se “ata do të nderohen dhe do të kujtohen me të drejtë për trimërinë dhe sakrificën e tyre”! I pyetur nëse Kina po përpiqej ndoshta të formonte një koalicion kundër ShBA-së, ai u përgjigj se “nuk e shoh aspak këtë”, duke këmbëngulur se “Kina ka shumë më tepër nevojë për ne sesa ne për ta”.

Nënkuptimi ishte se Kinës ende i duhet të punojë për ta zënë hapin, gjë që është e vërtetë, pasi ajo ende është prapa ShBA-së sa i përket fuqisë ushtarake, ndërsa prodhimi i saj për frymë është gjashtë herë më i ulët se ai i Shteteve të Bashkuara. Mungesa e zemërimit apo e gjuhës luftarake në përgjigjet e Trumpit mund të jetë mënyra më efektive për të kundërshtuar imazhet nga Pekini, ndërkohë që lë të hapur edhe mundësinë për përmirësim të marrëdhënieve.

Spektri i një përplasjeje të armatosur mes këtyre dy titanëve – që është një nga mesazhet që mund të nxirrej nga ekstravaganca ushtarake e organizuar nga Pekini – në të vërtetë duket më i largët tani sesa më parë./