Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës: Parada në Beograd, dështim total për Vuçiçin

MINISTRI I MBROJTJES I BeH e përshkroi paradën ushtarake në Beograd si “një fiasko të plotë të regjimit të Vuçiçit”.

“Sa i përket paradës ushtarake në Beograd, ajo ishte një fiasko e plotë e regjimit të Vuçiçit. Asnjë zyrtar serioz ndërkombëtar nuk mori pjesë. Mesazhi është i qartë: Vuçiç po e shtyn Serbinë në margjinat e bashkësisë ndërkombëtare, krah për krah me entitete si Osetia e Jugut dhe Abkhazia.”

“Ajo paradë dukej më shumë si një riprodhim i keq historik sesa një shfaqje serioze e fuqisë ushtarake moderne. Ndërsa pjesa tjetër e Evropës merret me të ardhmen, Vuçiç vendos të bëjë përsëri një turne të tankeve nga muzeu dhe aeroplanëve që fluturuan ndërsa Slobodan Millosheviq po përshëndette nga ballkoni”, shkroi Helez.

“Vuçiç më në fund mundi të organizojë një paradë të njohjes së realitetit”
“Nëse supozohej të ishte një demonstrim force, mesazhi u mor: Serbia është thellësisht e bllokuar në të kaluarën. Regjimi në Serbi, i përballur me kaos të brendshëm, rënie të mbështetjes, izolim ndërkombëtar dhe mesazhe të qarta nga Brukseli dhe Uashingtoni, po përpiqet të përdorë truket e vjetra për të larguar vëmendjen nga problemet reale.

Por mos u mashtroni. Bosnja dhe Hercegovina nuk ka frikë nga armët e muzeve. Ne nuk kemi frikë nga tanket më të vjetra se ushtarët që i ngasin, as nga paradat e ndërtuara mbi propagandë. Ne jemi të shqetësuar vetëm për politikën që vazhdon të ëndërrojë për një ‘Serbi të madhe’, pavarësisht faktit se historia është deklaruar qartë për këtë ëndërr.

“Në vend që të parakalonte, Vuçiç më në fund mund të organizonte një paradë njohjeje të realitetit: Se fqinjët e Serbisë janë shtete sovrane. Se nuk do të ketë kufij të rinj. Dhe se Ballkani nuk do të jetë kurrë më një shesh lojërash për komplekset e të tjerëve”, shtoi ai.