Mickoski: Pse u frikësua LSDM-ja dhe filloi të shpikë teza se gjoja materialet janë gjetur te viktimat që janë përgjuar?
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me pretendimet e LSDM-së se materialet e përgjimeve janë gjetur te viktimat dhe se si institucionet i dinë detajet, deklaroi:
“Shikoni, është traditë kur LSDM është në Qeveri dhe kur LSDM udhëheq me shërbimet e shtetit, që VMRO-DPMNE të përgjohet. Ajo që unë mund të them, tashmë e kam thënë në deklaratën time kur morëm informacionin për atë që ka ndodhur në periudhën kur isha kryetar i partisë më të madhe opozitare dhe partisë më të madhe politike, në thelb VMRO-DPMNE. Nga vetë natyra e gjërave, tani është logjike si kryetar i Qeverisë të marrim raporte të tilla, kjo nuk është diçka e çuditshme, nuk është asgjë e tmerrshme. Pres Prokuroria dhe Gjyqësori ta çojnë deri në fund këtë rast. Shoh që opozita është e shqetësuar, LSDM janë shqetësuar. Dhe duhet të jenë të shqetësuar sepse me dekada janë keqpërdorur resurset e shërbimeve. Më parë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, tani të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Agjencisë së Zbulimit, prandaj mendoj se duhet një herë e përgjithmonë t’i jepet fund keqpërdorimit të resurseve për të hyrë në jetët e njerëzve të tjerë. Të mjerë janë ata njerëz të cilët në vend që të merren me veten, merren me njerëzit e tjerë.”