Mickoski: “E Majta” manipulon me mashtrime, gënjyen se nuk kanë blerë hapësirë afariste, thonë se janë të pakorruptueshëm

Kryeministri Hristijan Mickoski, në Ditarin e TV Sitel “Tema e ditës”, duke folur për partinë politike “E Majta”, theksoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën, pasi kjo parti manipulon me mashtrime ashtu siç gënjyen se nuk kanë blerë hapësirë afariste, apo siç thonë se janë të pakorruptueshëm, ndërkohë që marrin para nga vende të ndryshme.

„Ajo që mund të them tani është se revizori duhet të merret me transaksionet në para të gatshme nga llogaria e partisë politike “E Majta” ndaj anëtarëve të udhëheqësisë më të lartë të saj. Sepse ne, partitë politike, marrim para nga buxheti, kështu financohemi, nga njëra anë dhe nga donacionet e anëtarëve dhe aktivistëve, nga ana tjetër. Por paratë nga buxheti i paguajnë qytetarët për politika publike, e jo për materiale dhe shpenzime udhëtimi“, deklaroi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se nëse ju si parti politike i sulmoni kolegët tuaj deputetë për atë se si i fitojnë shpenzimet e udhëtimeve në Parlament, atëherë lind pyetja pse në partinë tuaj keni paguar shpenzime udhëtimi dhe materiale me para që i merrni nga qytetarët dhe buxheti.

„Prandaj, ajo tezë robespieriane se janë të pakorruptueshëm bie poshtë. E shihni çfarë skandalesh bëjnë deputetët e së Majtës. Në aksident trafiku janë lënduar dy persona, ta lëmë prokurorinë të sqarojë, por fakti është se ka dy persona të lënduar në një aksident me një deputet të së Majtës. Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën, nuk mund të sulmoni nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër të abuzoni dhe të mendoni se do të kalojë kjo pa u ndëshkuar. Thoshin se nuk kishin lidhje me atë hapësirë afariste, e pastaj nga procesverbalet e dorëzuara nga kryesia e tyre më e ngushtë e pamë se si negociojnë me një nga bankat për të marrë kredi, pastaj për ta blerë me zbritje në ankand dhe se do të ishte mirë të mos publikohej emri i bankës për shkak të rrezikut reputacional“, theksoi kryeministri Mickoski.

Ai shtoi se “E Majta” me mashtrime përpiqet të manipulojë dhe i dobëson pozitat e qytetarëve, këta mashtrues janë gjithçka, por jo të pakorruptueshëm, sepse nuk kanë as program real, as plan, as strategji e as vizion, shërbehen vetëm me manipulime.”

„Do të pasojnë të tjera, sepse tashmë anëtarët e partisë së tyre po inkurajohen, do të ketë dëshmi të reja, që qytetarët ta kuptojnë se ata janë gjithçka, vetëm jo ajo që prezantohen se janë“, deklaroi kryeministri Mickoski.