Mexhiti: Së shpejti nis ndërtimi i objektit të ri të shkollës “Idnina” në Çair-deri atëherë, fëmijët do të mësojnë në kushte moderne në “Shën Naumi i Ohri”
Shkup, 22.09.2025 Zëvendës kryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit
Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me ministren
e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe përfaqësues nga
Dhoma e Tregtisë MATTO, vizituan sot Shkollën e Mesme “Shën Naumi
Ohrit”, ku po adaptohen dhe rinovohen nëntë kabinete të reja që
përkohësisht do të përdoren për nevojat e Qendrës së Burimeve “Idnina”
të Çairit deri në ndërtimin e shkollës së re në këtë Komunë.
Gjatë vizitës, ata ndoqën rikonstruimin dhe adaptimin e hapësirave në
Shkollën e Mesme Shtetërore “Shën Naumi i Ohrit”, të cilat do të
përdoren përkohësisht nga nxënësit me nevoja të veçanta arsimore nga
“Idnina” në Çair.
Mexhiti theksoi se çdo fëmijë ka të drejtë për qasje të barabartë në
arsim cilësor dhe mundësi për zhvillim.
“Falë angazhimit të Qeverisë dhe donacionit nga MATTO, nëntë kabinete të
reja do të jenë funksionale – për mbështetje individuale, mësim sipas
metodës Montessori, riedukim psikomotorik, terapi me art, dhomë
sensoriale dhe bibliotekë”, deklaroi Mexhiti.
Mexhiti potencoi se ky është vetëm hapi i parë. Qeveria mbetet e
përkushtuar në ndërtimin e një objekti të ri modern në lokacionin
ekzistues në Çair. “Vizionin ynë që Çairi të bëhet komunë vërtet
inkluzive – shembull për mënyrën se si shoqëria kujdeset për më të
vegjlit dhe më të ndjeshmit. Faleminderim për të gjithë ata që e
mbështetën projektin, sepse kjo është një fitore e bashkëpunimit
ndërmjet institucioneve, komunitetit të biznesit dhe qytetarëve. Këto
hapësira nuk janë vetëm mure dhe pajisje – ato janë simbol i një
shoqërie që investon në të ardhmen e saj”, tha Mexhiti.
Ministrja Janevska shtoi se në “Idnina” përfshihen 70 nxënës të rregullt
dhe 130 nxënës me programe të veçanta.
“Kjo është një zgjidhje e përkohshme me një donacion prej 100 mijë euro,
ndërsa Qeveria do të ndërtojë një objekt të ri modern në vendndodhjen
ekzistuese në Çair, ku fëmijët do të kthehen”, tha Janevska.