Mexhiti: Kryetarët e komunave nga radhët e BDI-së të mos bllokojnë projektet që realizohen nga Qeveria VLEN
Mexhiti theksoi se largimet e vazhdueshme nga BDI tregojnë se kjo parti ka nevojë për reforma të thella, të cilat, sipas tij, pushteti aktual përpiqet t’i shmangë duke u kamufluar me emra të rinj.
“Fitorja e VLEN-it është fitore për qytetarët shqiptarë, sepse VLEN del nga vetvetja, jo vetëm këtu, por edhe në Strugë me Mendi Qyrën. Ne kemi sjellë një frymë të re dhe një ekip të ri që sot flet me një zë. Për zgjedhjet lokale ne flasim për problemet reale të qytetarëve, për kanalizim, për shkolla, për çerdhe, për infrastrukturë dhe për të rinjtë që duan kurse për të kapur hapin e kohës,” u shpreh Mexhiti.
Ai tha se gjatë qeverisjes një vjeçare janë arritur rezultate dhe një vit të qeverisjes së VLEN-it mund të krahasohet me 20 vite të pushtetit të BDI-së.
Ai shtoi se nëse shqiptarët do të ishin punësuar në 20 vitet e kaluara me ritmin që janë punësuar këtë vit, sot nuk do të ishte nevoja të diskutohej për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Mexhiti shtoi se Qeveria VLEN per një vit ka miratuar Ligjin për përfaqësim që të tjerët nuk e bën për 20 vite.
“Kemi sjellë Ligjin për përfaqësimin e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera dhe kemi mbyllur një temë të rëndësishme. Pas 20 vitesh, vendi është më i centralizuar se kurrë. Ne nuk ndamë komunat kur u shpërndante buxheti dhe të gjithë përfituan mjete për realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve” theksoi ai.
Më tej, Mexhiti iu drejtua kryetarëve të komunave që vijnë nga BDI me apel që të mos i ngadalësojnë projektet e filluara nga VLEN si pjesë e Qeverisë.
“Mos i lini projektet pas zgjedhjeve që qytetarët të mos e shohin sa shumë investime kemi sjellë në çdo vendbanim. Filloni punimet dhe le të gjykojë populli vetë,” përfundoi ai.