Mes protestash, Serbia mban paradën ushtarake “Forca e Bashkimit”

Në Beograd të shtunën u zhvillua parada ushtarake “Forca e Bashkimit”, në të cilën, sipas njoftimeve, morën pjesë rreth 10 mijë njerëz. Parada u mbajt pavarësisht se vendi tash e gati një vit po përballet me protesta gjithnjë e më të mëdha të organizuara nga studentët që po kërkojnë zgjedhje të reja.

Parada nisi me këndimin e himnit kombëtar dhe me zjarr nderi nga anëtarët e Gardës, si dhe me prezantimin e flamurit serb.

Gjatë paradës u ekspozuan 2,500 armë dhe pajisje ushtarake, mbi 600 mjete, 70 avionë dhe 20 anije, sipas “Nova.rs”.

Në aktivitet mori pjesë edhe Milorad Dodik.

Një grup protestuesish u përpoqën ta thyenin kordonin e policisë në vendin ku po mbahet parada, por oficerët përdorën forcë fizike për ta qetësuar situatën.