Memet Neziri bartës liste në Zhelinë nga AKI, Sulejmani: Memeti është zëri i qytetarëve

Koalicioni AKI ka prezantuar sot zyrtarisht bartësin e listës për Komunën e Zhelinës, Memet Neziri, një emër i njohur në komunitet si njeri i thjeshtë, i ndershëm dhe i lidhur ngushtë me jetën dhe sfidat e qytetarëve.

Në një postim në rrjetet sociale, kandidati për kryetar komune, Emir Sulejmani, theksoi se përzgjedhja e Nezirit si bartës liste është një mesazh i qartë për ndryshim dhe përfaqësim të denjë të qytetarëve.

“Memeti është njëri prej nesh, i rritur në mesin e qytetarëve, i rritur me hallet dhe shpresat që kemi të gjithë. Ai nuk vjen nga karriget e buta të pushtetit, por nga rruga e ndershmërisë dhe e punës,” shkruan Sulejmani.

Ai shton se Neziri e njeh më mirë se kushdo tjetër nevojat reale të qytetarëve, duke përmendur mes tjerash: kushte më të mira për familjet, mbështetje për të rinjtë, zhvillim të qëndrueshëm të fshatrave dhe fundin e premtimeve boshe që, sipas tij, kanë lodhur popullin për vite me radhë.

“Politika nuk është privilegj i pak njerëzve, por përgjegjësi ndaj secilit qytetar. Është koha që zëri i popullit të përfaqësohet nga njerëz të ndershëm, të drejtë dhe të guximshëm,” përfundon Sulejmani.

Koalicioni AKI sipas sondazheve të fundit pritet të fitojë bindshëm edhe ate mbi 150 mijë vota në nivel nacional dhe Emir Sulejmani është para kundërkandidatit të VLEN-it./TS/