Mbi 42.000 ndërmarrje me investime të huaja u ngritën në Kinë nga janari deri në gusht

Ministria kineze e Tregtisë bëri të ditur se 42.435 ndërmarrje me investime të huaja u ngritën në pjesën kontinentale nga janari deri në gusht, duke shënuar një rritje vjetore prej 14.8 për qind.

Gjatë kësaj periudhe, investimet e huaja direkte (IHD) në përdorim real arritën në 506.58 miliardë juanë (rreth 71.22 miliardë dollarë amerikanë), gati 12.7 për qind më pak në baza vjetore, shkruan “Xinhua”.

Përdorimi real i investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe arriti në 129.03 miliardë juanë në industrinë prodhuese dhe në 366.19 miliardë juanë në industrinë e shërbimeve.

Përdorimi i investimeve të huaja direkte në sektorët e teknologjisë së lartë në Kinë arriti në 148.28 miliardë juanë, me ato në sektorët e shërbimeve të tregtisë elektronike, prodhimit të pajisjeve hapësinore, prodhimit kimik-farmaceutik dhe prodhimit të instrumenteve mjekësore që u rritën përkatësisht me 169.2 për qind, 37.5 për qind, 23.2 për qind dhe 19.2 për qind.

Sipas ministrisë, investimet nga Japonia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Singapori u rritën me 58.9 për qind, 37.2 për qind, 24.5 për qind dhe 1.8 për qind.