Lëvizja Arbëria drejt finalizimit të marrëveshjes me VLEN-in për zgjedhjet lokale

Lëvizja Arbëria po hyn në fazën përmbyllëse të arritjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi me koalicionin VLEN për zgjedhjet lokale të tetorit.

Ky hap është fryt i një procesi të gjatë konsultimesh të hapura e të vazhdueshme me strukturat dhe aktivin në terren.

Zëri i tyre, mbështetja e fuqishme dhe besimi i shprehur e kanë bërë të qartë se kjo marrëveshje është një domosdoshmëri për bashkimin e shqiptarëve dhe për ndërtimin e një qasjeje të re politike, larg hijeve të së shkuarës dhe praktikave të korrupsionit moral e politik që për 2 dekada kanë rënduar mbi shpatullat e qytetarëve.

Ky vendim është dëshmi e përkushtimit të Arbërisë për të qenë gjithmonë pranë qytetarëve shqiptarë, duke vendosur interesin e përbashkët mbi çdo interes të ngushtë partiak. Me mirënjohje të thellë falënderojmë të gjithë ata që kanë qëndruar pranë nesh në këtë rrugëtim: miqtë nga Prishtina dhe Tirana, diasporën shqiptare në Evropë dhe Lobin Shqiptaro-Amerikan.

Këshillat e tyre, mbështetja dhe komunikimi i vazhdueshëm përmes anëtarit të Këshillit Drejtues, z. Gazmend Aliji, kanë qenë një dritë udhërrëfyese në këtë proces vendimtar. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut sot po hapin një kapitull të ri, kapitullin e bashkimit, të besimit dhe të shpresës për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri drejt ndryshimit të shumëpritur dhe fuqizimit politik të shqiptarëve.