Legjenda e tenisit rrëfen jetën pas hekurave: Burgu ishte beqaria më e gjatë që nga mosha 15-vjeçare

Legjenda gjermane e tenisit, Boris Becker, ka ndarë për herë të parë rrëfimin e tij të plotë për jetën, në një intervistë dhe libër të ri autobiografik të titulluar Inside.

“Burgu ishte beqaria më e gjatë që kam pasur që nga mosha 15 vjeç,” tha ai, duke përshkruar si izolimin emocional, ashpërsinë e sistemit penal britanik dhe përballjen me kriminelë të rrezikshëm.

Becker u dënua në prill 2022 me dy vjet e gjysmë burg për fshehje të aseteve gjatë falimentimit. Ai kaloi fillimisht 230 ditë në burgjet britanike HMP Wandsworth dhe HMP Huntercombe, para se të deportohej në Gjermani në dhjetor të po atij viti. Në burg, ai përjetoi ankth, kërcënime për jetën dhe izolim të thellë, ndërkohë që përballoi edhe borxhe nga lojërat e pokerit me të burgosur të tjerë.

Në intervistë, Becker përmend gjithashtu vështirësitë financiare që e çuan drejt falimentimit në vitin 2017, pas një karriere të ndritur që i solli rreth 38 milionë paund fitime.

Ai u shpall fajtor për fshehje pasurie, përfshirë pronat dhe aksionet, si dhe për pagesa të paligjshme ndaj familjarëve.

Sot, 57-vjeçari jeton në Milano me gruan e tij të tretë, Lilian de Carvalho Monteiro, me të cilën pret një fëmijë në dhjetor.

Ai ka katër fëmijë nga marrëdhëniet e mëparshme dhe ka përjetuar divorçe të kushtueshme, për të cilat thotë se janë arsyeja kryesore e humbjes së pasurisë së tij.

Pavarësisht vështirësive, Becker e quan burgun një “rilindje” dhe tani është i fokusuar te familja dhe një jetë më e matur, edhe pse udhëtimet luksoze dhe kontakti me botën elitare mbeten pjesë e realitetit të tij të përditshëm.