“Laboratori i së ardhmes”, Osmani prazantoi platformën për mbështetjen e të rinjve

Në praninë e një numri të madh të të rinjve, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim ka prezantuar një platformë të hapur për ide nga të rinjtë për të rinjtë, ndërsa e ka quajtur “Laboratori i së ardhmes”.

“Sot nuk jam këtu për t’ju premtuar të ardhmen. Jam këtu për t’ju dhënë hapësirë që ta krijoni vetë. Jam lodhur nga frazat boshe të politikanëve si ajo që e ardhmja u përket të rinjve. E tashmja u përket të rinjve, sepse nëse tani menjëherë nuk ndihen të rëndësishëm, të ardhmen do ta kërkojnë diku tjetër. Prandaj unë nuk kam plan për të rinjtë, kam plan me të rinjtë!”, tha Osmani.

Ju shoh si gjenerata që do ta formësojë Çairin, do ta krijojë kulturën, do t’i vendosë standardet, vijoi më tej ai.

“Dhe për këtë, do të merrni mjete, resurse dhe përkrahjen time të pakushtëzuar. Prandaj, sot, do t’ju prezantoj konceptin dhe programin tim se si do ta bëjmë këtë dhe si planifikoj, si kryetar i ardhshëm i komunës, t’ju përkrah”, u shpreh ai.

Gjëja e parë, premtoi Osmani, do ta krijojmë “LABORATORIN E SË ARDHMES”, një platformë e hapur për ide nga të rinjtë për të rinjtë.

“Që nga dita e parë pas zgjedhjeve, shpallim thirrje publike për të gjithë ju që keni ide për një Çair më të mirë: zonë urbane, hapësirë ekspozuese, ndihmë për start-up, qendër kulturore, hapësira të gjelbra, iniciativa ekologjike,  çfarëdo qoftë  do të mund të aplikoni. Do të përzgjedhim 5 deri në 10 idetë më të mira dhe do t’i financojmë. Do të merrni buxhet, logjistikë, mentorë. Ju do të jeni krijues, e jo vetëm vëzhgues”.

Ka thënë se do të hap fonde për ide inovative, që siç është shprehur, kreativiteti të mos mbetet vetëm ëndërr, por të shndërrohet në projekte konkrete që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve – nga teknologjia te mjedisi jetësor, nga arti te sporti.

“Do ta përkrahim fuqishëm krijimtarinë tuaj digjitale dhe projektet në inteligjencën artificiale, sepse besojmë fort se Çairi mund të bëhet qendra e inovacioneve lokale, vendi ku të rinjtë krijojnë zgjidhje për të ardhmen, ku idetë tuaja ndërtojnë një komunë moderne, më të avancuar dhe më të fortë. Më tej do të krijojmë bursa komunale për studentët më të mirë, që çdo arritje e juaja të shpërblehet dhe të shërbejë si frymëzim për gjeneratat e ardhshme”, tha Osmani, ndërsa shtoi se kjo nuk është gjithçka.

“Ju nuk do të jeni vetëm vëzhgues, ju do të jeni aktorët kryesorë në këtë proces. Do të keni praktika të paguara në komunë dhe në ndërmarrjet publike, për ta përjetuar në praktikë se si funksionon administrata dhe si mund ta ndryshoni atë. Do të keni mundësi punësimi përmes programit ‘Talenti i Çairit’, garanci që studentët më të mirë nuk do të mbeten në hije, por do ta gjejnë vendin e tyre në zhvillimin e komunës”.

Çdo investim, çdo projekt, çdo orë e investuar tek ju është investim për një Çair më të fortë, më inovativ dhe më të zhvilluar, ka vijuar Osmani.

“Sot dua t’ju them edhe diçka që e mendoj me gjithë zemër: Nuk dua të qëndroni këtu sepse nuk keni zgjedhje. Dua të qëndroni nga dashuria. Të qëndroni sepse besoni se këtu ia vlen të ëndërrohet. Të luftohet. Të ndërtohet. Unë do të jem i pari që do t’ju dëgjoj, i pari që do t’ju lë hapësirë dhe i pari që do të mbaj përgjegjësi për atë që do ta premtoj. Nuk dua të flas për ju, por dua të flas me ju”, u shpreh kandidati për Çairin nga AKI, Bujar Osmani, ndërsa ka shtuar se do të jetë në anën e të rinjve  “për ta ndërtuar këtë Çair të ri – Çairin ku të rinjtë nuk largohen, por me krenari e ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”.