Albanian Post ka arritur të sigurojë letrën që Meidani u pati dërguar delegatëve shqiptarë të Kosovës në Rambuje, me detajet tepër largpamëse për kohën

Në ditët vendimtare të Konferencës së Rambujesë, ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, u është drejtuar me një letër delegacionit shqiptar, ku i përgëzonte për kohezionin dhe profesionalizmin e treguar gjatë bisedimeve.
Ai theksonte në ato çaste të vështira se vendimmarrja e tyre kishte rritur më tej besimin e shqiptarëve, duke nënvizuar se shumica dërrmuese e popullit i mbështeste dhe i mirëkuptonte qëndrimet e tyre.
Meidani vinte në dukje dallimin mes një marrëveshjeje kalimtare dhe aspiratave të ligjshme të popullit të Kosovës, duke e quajtur ate moment “historik” për fatin e çështjes shqiptare.
Në të njëjtën kohë, presidenti shqiptar i atyre ditëve rikujtonte se prania e forcave të NATO-s në Kosovë mbetej themelore për garantimin e çdo zgjidhjeje të ardhshme, ndërsa referendumi i mëparshëm i popullit kosovar shihej në sytë e Meidanit si shprehja më e qartë e vullnetit të tij politik.
Albanian Post ka arritur të sigurojë letrën që Meidani u pati dërguar delegatëve shqiptarë të Kosovës në Rambuje, me detajet tepër largpamëse për kohën.
Letra e plotë:
Delegacionit shqiptar në Rambuje
Të dashur vëllezër,
Kam qenë pranë jush gjithë këto ditë. Kam ndjekur nga afër veprimtarinë tuaj shumë të përgjegjshme në Konferencën e Rambujesë. Mund t’ju them se, ashtu si gjithë shqiptarët, jam entuziazmuar me kohezionin dhe profesionalizmin që keni treguar për të arritur maksimumin e mundshëm për një zgjidhje, e cila vazhdimisht është projektuar si kalimtare dhe që ne nuk do të duhej ta sakrifikonim. Niveli i lartë dhe përgjegjshmëria juaj e ka rritur më tej besimin e shqiptarëve në vendimet që do të nënshkruani. Jam i bindur se shumica dërrmuese e shqiptarëve ju mbështesin dhe ju mirëkuptojnë për qëndrimet që po mbani dhe do të mbani.