Ish Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, dërgoi një mesazh të fuqishëm e emocional me video për mbështetje të Bujar Osmanit dhe kandidaturës së tij për kryetar të Çairit.
Në mesazh, Kuleba i falënderoi qytetarët e Maqedonisë së Veriut për përkrahjen ndaj Ukrainës gjatë pushtimit rus, duke u ndalur veçanërisht te roli i Osmanit si Ministër i Jashtëm dhe Kryesues i OSBE-së.
“Ne, ukrainasit, ju jemi mirënjohës për përkrahjen tuaj. Përgjithmonë do ta kujtojmë me falënderim që në tre vitet e fundit kombi juaj krenar qëndroi pranë Ukrainës”, tha Kuleba, duke theksuar se Maqedonia dhe institucionet e saj treguan solidaritet të vërtetë në momentet më të rënda.
Më tej, ai foli personalisht për Osmanin:
“Bujar Osmani është miku im që e udhëhoqi diplomacinë tuaj dhe e kryesoi OSBE-në gjatë kryesimit të Maqedonisë. Ai është politikan i njohur dhe jam i sigurt se e respektoni po aq sa e respektoj edhe unë.”
Kuleba shprehu mbështetje të fuqishme për kandidaturën e Osmanit, duke e vlerësuar si një njeri të përkushtuar dhe të ndershëm:
“Jam i bindur se do t’ju shërbejë me cilësinë më të lartë, integritet dhe përkushtim. Ai e do Maqedoninë, ju do juve, i do qytetet dhe fshatrat tuaja. Ai është njeri që meriton besim. Këtë e mësova në momentet më të vështira të pushtimit.”
Ministri ukrainas theksoi gjithashtu se përvoja dhe rrjeti i kontakteve ndërkombëtare që Osmani i ka ndërtuar gjatë viteve të fundit janë një pasuri e paçmuar për çdo komunë që dëshiron të ecë përpara dhe të përfitojë nga fondet dhe mbështetja evropiane.
Në fund, Kuleba dërgoi përshëndetje të ngrohta për qytetarët e Çairit, duke u uruar fat dhe siguri, me mesazhin se miqësia mes popujve ndërtohet edhe përmes liderëve që e dinë se çfarë do të thotë përgjegjësi dhe solidaritet në politikën ndërkombëtare.