Kriza politike në Francë/ Pas rrëzimit të kryeministrit Bayrou, opozita kërkon edhe largimin e Macron

Pas rrëzimit të qeverisë së François Bayrou me votë mosbesimi në Asamblenë Kombëtare, opozita franceze ka shtuar tonet, duke kërkuar tashmë edhe largimin e presidentit Emmanuel Macron.

“Bayrou kërkoi një moment të së vërtetës dhe e mori”, deklaroi Mathilde Panot nga partia e majtë radikale LFI. Lideri i LFI-së, Jean-Luc Mélenchon, tha se pas dështimit të qeverisë, Macron duhet të mbajë përgjegjësi dhe të largohet.

Megjithatë, presidenti francez nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ai ka paralajmëruar se hapi i radhës do të jetë emërimi i një kryeministri të ri, shkruan BBC.

Ndërkohë, partitë e tjera të majta, si Të Gjelbrit dhe Socialistët, mendojnë se tashmë është radha e tyre për të marrë drejtimin e vendit. Marine Tondelier, udhëheqësja e të Gjelbërve, i ka bërë thirrje Macron që të dëgjojë forcat e majta përpara se të emërojë kryeministrin e ri.

Por e djathta ekstreme, e drejtuar nga Marine Le Pen, e cila kryeson sondazhet, ka një kërkesë tjetër: shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Shpërndarja e parlamentit nuk është një kapriço. Është një instrument kushtetues për të thyer ngërçin dhe për t’i rikthyer funksionimin demokracisë,” u shpreh Le Pen.

Kriza politike në Francë po thellohet, ndërsa të gjitha palët presin hapin e radhës nga presidenti Macron, i cili ndodhet tani nën presion të fortë politik.