Kriza e përfaqësimit shqiptar në Maqedoni: Një teatër pa audiencë

Analisti Qani Shabani

Në Maqedoninë e Veriut, politika shqiptare nuk është më skenë. Është skenografi e konsumuar, një teatër i vjetër me aktorë që përsërisin të njëjtin tekst të lodhur, për një publik që tashmë fle me sytë hapur. Çdo zgjedhje është një rinovim i status quo-së, jo një revolucion i ndërgjegjes. Partitë janë shumë. Kauza nuk ka asnjë. Liderët janë të shumtë. Vizionarët – zero. Duket sikur çdo individ që ka humbur një tender ose një kolltuk, lind një parti. Jo për të ndërtuar, por për të bërë zhurmë. Për të thirrur veten “alternativë”, ndërkohë që janë klone të deformuara të së njëjtës skemë të kalbur.

Politika shqiptare në Maqedoni është paradoksi i përkryer i vetëshkatërrimit elegant: sa më shumë parti, aq më pak përfaqësim. Sa më shumë zëra, aq më shumë heshtje. Sa më shumë fjalime patriotike, aq më pak ndjesi kombëtare. Në vend të një ideje që bashkon, kemi liderë që ndajnë. Në vend të një programi që shtyn përpara, kemi manifeste personale për mbijetesë politike. Dhe populli? Populli është spektator i vetvetes, duke votuar fajtorët, duke heshtur para turpit, duke shpresuar pa asnjë bazë.

Për disa, politika është pazari i javës – vendi ku shiten vota dhe blihen deputetë. Për disa të tjerë, është një korridor errësire, ku rrihet kot derisa hapet ndonjë derë për ndonjë komision, agjenci apo konsullatë. Fjalët si “komb”, “barazi”, “gjuhë”, “arsimi”, “decentralizim”, “ekonomi” – nuk janë më qëllime. Janë dekorime fjalish, që vishen si rrobat e bukura për një dasmë ku nuk shkon askush. Të gjithë flasin për “kauzë”, por askush nuk jep llogari se çfarë kanë bërë me kauzën gjatë gjithë këtyre viteve përfaqësimi të rremë.

Në çdo cikël zgjedhor, ngrihen parti të reja. Disa lindin nga mllefi, disa nga pazari, disa nga kotësia. Të gjitha, pothuajse pa përjashtim, përfundojnë duke folur me të njëjtën gjuhë si ata që i kundërshtuan. Ky nuk është pluralizëm. Kjo është inflacion politik i qëllimshëm, për ta bërë mendimin e ndershëm të duket si zë i çmendur në shkretëtirë. Ky është mekanizmi i përçarjes së përhershme, ku vetë shqiptarët bëhen instrument i heshtjes së tyre.

Brezat e rinj nuk janë budallenj. Ata nuk lexojnë më programet politike, sepse nuk shohin më ndryshim mes fjalës dhe mashtrimit. Ata nuk protestojnë më, sepse e dinë që kamera do fiket sapo mbaron “lajmi”. Ata nuk kërkojnë më vend në parti, por vend në jetë – jashtë këtij cikli të mbrapshtë. Ata nuk ikin nga vendi se janë dembelë. Ikin sepse këtu, politika ka vdekur, dhe bashkë me të, edhe besimi në të ardhmen.

Nuk mjafton më të kërkosh një parti të re. Nuk mjafton të thuash “jemi ndryshe”. Nuk mjafton të vishesh bukur dhe të flasësh me fjalë të zgjedhura nëpër debate. Nevojitet një ndërprerje e dhunshme (moralisht) me të kaluarën, një revoltim që nuk flet vetëm për pushtet, por për identitet, për dinjitet, për liri nga robëria e mendësisë së vjetër. Sepse në fund, çdo votë e dhënë për të shkuarën, është një dënim për të ardhmen.

Politika shqiptare në Maqedoni kërkon më shumë se fjalë të bukura. Ajo kërkon kurajë për të thyer zinxhirët e inercionit për të shkatërruar rrënjët e korrupsionit dhe për të krijuar një realitet ku kauzat kombëtare të jenë prioritet dhe jo lojë pushteti. Pa ndryshim thelbësor, brezat e ardhshëm do të jenë dëshmitarë të zhgënjimit që ne e krijuam vetë. Është koha për një kthesë radikale, ku liderët të jenë shërbëtorë të vërtetë të popullit dhe jo zotër të klubeve të tyre.