Komandanti i ushtrisë ukrainase: Në Donetsk kemi thyer linjat ruse – avancuam deri në shtatë kilometra
Forcat ukrainase kanë avancuar deri në 7 kilometra brenda linjave mbrojtëse ruse në drejtim të Dobropilit, në rajonin e Donetskut.
Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka raportuar për këtë përmes rrjeteve sociale.
“Operacioni i Forcave Mbrojtëse të Ukrainës vazhdon në rajonin e Donetskut, në drejtim të Dobropilit. Trupat tona kanë avancuar nga 3 deri në 7 kilometra në thellësi të mbrojtjes së armikut”, ka deklaruar ai.
Syrskyi kujtoi se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin mbi shtatë vendbanime, ndërsa nëntë të tjera janë pastruar nga grupet ruse të diversantëve dhe zbuluesve.
Në total janë çliruar 160 kilometra katrorë, dhe 171 kilometra katrorë janë pastruar nga grupet SRG (grupet ruse të sabotimit dhe zbulimit).
Sipas tij, humbjet e trupave ruse arrijnë në 2.456 ushtarë, prej të cilëve 1.322 janë humbje të pakthyeshme (të vrarë).
Forcat ruse gjithashtu kanë humbur 817 njësi armësh dhe pajisjesh ushtarake, përfshirë: 12 tanke, 37 automjete të blinduara luftarake, 162 sisteme artilerie, pesë sisteme raketore shumëfishe, 382 automjete, 58 motoçikleta, një pajisje speciale dhe 160 dronë.