Kinë – SHBA , bisedë telefonike midis dy presidentëve

Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Donald Trump.

Të dy homologët shkëmbyen mendime të thella për marrëdhëniet kino-amerikane dhe për çështjet me interes të përbashkët, duke përcaktuar drejtimin strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fazën e ardhshme. Biseda ishte pragmatike, pozitive dhe konstruktive, sipas CGTN

Ndër të tjera, Xi vuri në dukje se Kina dhe Shtetet e Bashkuara ishin aleatë që luftuan krah për krah përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Pak kohë më parë, pala kineze zhvilloi solemnisht aktivitetin përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore, ku ftoi të afërmit e anëtarëve të ndjerë të Grupit të Vullnetarëve Amerikanë “Tigrat fluturues” për të ndjekur paradën ushtarake në tribunën Tiananmen. Populli kinez nuk do të harrojë kurrë përkrahjet e shtrenjta të ShBA-së dhe të vendeve të tjera të Aleancës Antifashiste ndaj Luftës së Rezistencës të Kinës. “Duhet të çmojmë paqen dhe të krijojmë një të ardhme më të bukur, bazuar në kujtimin e historisë dhe nderimit të heronjve të rënë,” shtoi Xi.

Ai theksoi se marrëdhëniet kino-amerikane kanë rëndësi të madhe. Të dyja vendet mund të arrijnë sukses të ndërsjellë dhe të realizojnë lulëzimin e përbashkët, në të mirë të dy vendeve dhe të botës.

Për realizimin e këtij vizioni, të dyja palët duhet të përpiqen të afrohen me qëndrimin e palës tjetër, të respektojnë njëra-tjetrën, të bashkë ekzistojnë në mënyrë paqesore dhe të bashkëpunojnë për fitime të përbashkëta.

“Qëndrimi i palës kineze në çështjen rreth ‘TikTok’-ut është i qartë. Qeveria kineze respekton vullnetin e kompanisë dhe pret që kompania të zhvillojë siç duhet bisedimet tregtare në bazë të rregullave të tregut dhe të arrijë një rrugëzgjidhje në përputhje me ligjet dhe rregulloret ligjore kineze dhe me ekuilibrimin e interesave. Shpresoj se pala amerikane do t’u krijojë kompanive kineze një mjedis të hapur, të barabartë dhe jodiskriminues për investimet në ShBA,” thesoi Presidenti i Kinës.

Nga ana e tij, Donald Trump tha se parada ushtarake me rastin e 80-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës është shumë e mrekullueshme. Marrëdhëniet amerikano-kineze janë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme në botë. Falë bashkëpunimit, të dyja vendet do të jenë në gjendje të bëjnë shumë punë të mëdha në dobi të paqes dhe stabilitetit të botës. Pala amerikane shpreson të ruajë marrëdhëniet madhështore me Kinën, në mënyrë afatgjatë dhe normale. Pala amerikane shpreson të nxitë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar midis dy vendeve dhe do t’i përkrahë konsultimet midis ekipeve të të dy vendeve, që të zgjidhin siç duhet çështjen e “TikTok”-ut. “Pala amerikane dëshiron të përpiqet bashkë me palën kineze për mbrojtjen e paqes botërore,” theksoi presidenti amerikan.