Armët me lazer, raketat balistike bërthamore dhe dronët gjigantë nënujorë ishin ndër armët e reja të zbuluara të mërkurën në paradën masive ushtarake të Kinës që shënoi 80 vjetorin e fitores së saj ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Presidenti Xi Jinping tha se vendi i tij është “i pandalshëm” dhe “nuk do të frikësohet kurrë” nga ngacmuesit, në një fjalim para ngjarjes.
Atij iu bashkuan 26 krerë shtetesh, përfshirë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Kjo është hera e parë që Xi, Putin dhe Kim takohen së bashku.
Ambiciet e Xi-së u shfaqën mëngjesin e së mërkurës teksa parada ofroi të dhëna për çdo plan të mundshëm për të sulmuar ishullin demokratik të Tajvanit, të cilin Kina e pretendon, shkruan BBC.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk ishte në paradë, por ai në një postim në Truth Social ka qortuar Xi-në, Kimin dhe Putin për “komplot” kundër SHBA-së.
“Pyetja e madhe që kërkon përgjigje është nëse presidenti Xi i Kinës do ta përmendë apo jo sasinë masive të mbështetjes dhe “gjakderdhjes” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë Kinës për ta ndihmuar atë të siguronte lirinë e saj nga një pushtues i huaj shumë armiqësor. Shumë amerikanë vdiqën në përpjekjen e Kinës për Fitore dhe Lavdi. Shpresoj që ata të nderohen dhe të kujtohen me të drejtë për Trimërinë dhe Sakrificën e tyre! Uroj që presidenti Xi dhe populli i mrekullueshëm i Kinës të kenë një ditë të madhe dhe të qëndrueshme festimi. Ju lutem, dërgoni përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong Un-it, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trumpi në Truth Social.