Nga Kim Mehmeti
Njësoj si dikur BDI’ja, e cila votat shqiptare ia dorëzonte Gruevskit, që ai të kishte edhe legjitimitetin shqiptar, sot VLEN’i është ai i cili i kërkon votat e shqiptarëve sa për t’ia dhënë ato VMRO’së qeveritare, duke ia mundësuar kështu Kryeministrit aktual që t’u dëshmojë maqedonasve se ua ka kthyer Maqedoninë e grabitur nga shqiptarët dhe se, sido që të votojnë, nuk do jenë shqiptarët, por ai do vendosë kush do i përfaqësojë ata nëpër institucionet më të larta shtetërore.
Pra mund të thuhet se deri dje BDI-ja, sot VLEN’i i forcon partitë maqedonase ne pushtet duke u bërë vasal i tyre.
Me atë dallim që BDI’ja ishte dhe është parti që e kishte dhe e ka legjitimitetin e shqiptarëve, ndërsa VLEN’i ishte dhe mbeti vëllazëri ‘sektashësh’ të cilëve shqiptaria e xhamia u shërben vetëm për të ardhur në pushtet.
Pra BDI’ja ishte dhe është parti, që për nga numri i votave, me të vërtet i përfaqëson shqiptarët, e VLEN’i është një klub interesaxhinjsh pa dinjitet të cilët Mickovski i mban në qeveri ngaqë e din se nuk kanë ku i ikin.
E ne dikur e mendonim se nuk ka vasal më të mirë se ata të BDI-së, duke harruar se edhe vasalët e përsosin vetveten dhe arrijnë të bëhen atë që sot është VLEN’i: dega shqiptare e VMRO-DPMNE’së.
Dhe andaj VMRO’ja do bëjë çmos qe në zgjedhjet vendore të mos dështojë kjo degë e saj partiake, kjo treshe ‘sektash’ që nuk kanë mjaftueshëm anëtarë as për t’i plotësuar të gjitha postet me të cilat i shpërblen Kryeministri.
Pra drejtuesit e VMRO’s, për shembull, nuk do lejojnë që ‘nëndega’ e tyre shqiptare – Alternativa, të zhbëhet e të shpërfaqet si kompani fitimprurëse e pesë-gjashtë ‘aktivistëve’ të saj që kanë kontribuar që shqiptarët të jenë pronarë te shpronësuar të Maqedonisë dhe sundues të pa pushtetshëm të saj.
Andaj duhet thënë qartë e shqip: njësoj si në të shkuarën kur shqiptarët e votonin BDI’në që ajo t’i forconte qeveritë maqedonase, sot, duke e votuar VLEN’in, shqiptarët e këtushëm në të vërtet e mbështesin VMRO-DPMNE’n.
Dhe kështu do jetë përderisa partitë shqiptare nuk e kuptojnë se pronar të shtetit nuk te bënë bashkëqeverisja, por Kushtetuta.
Pra përderisa nuk e kuptojnë se kur në kushtetutë nuk të përmendet emri, por figuron si 20 për qindësh, në qeveri mund të jesh vetëm vasal.