James Rubin dëshmon sot në Gjykatën Speciale të Hagës si dëshmitar i mbrojtjes

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do ta nisë sot dëshminë e tij para Gjykatës Speciale, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai nuk është i vetmi mes emrave të njohur që pritet të dëshmojnë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 shtator 2025, Trupi Gjykues pranoi si prova disa aktekspertiza të dorëzuara nga Mbrojtja e Viktimave dhe një provë materiale të dorëzuar nga Mbrojtja.

Gjykatësit nuk pranuan një provë materiale tjetër që u kërkua të pranohej nga Mbrojtja. Kur u pyet lidhur me këtë provë gjatë pyetjeve nga pala kundërshtare, dëshmitari nuk ishte në gjendje të jepte asnjë kontekst për të, kështu që Trupi Gjykues e konstatoi jorelevante për dëshminë.

Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes.

Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.

Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit.

Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.

Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores.

Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë. Konferenca përgatitore për Mbrojtjen u mbajt më 19 gusht 2025, kurse paraqitja e provave nga Mbrojtja fillon më 15 shtator 2025, me synimin që të përfundojë më 14 nëntor 2025. Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.