Izraeli nis sulmin me raketa në Doha të Katarit (VIDEO)

Ushtria izraelite ka kryer një sulm në Doha të Katarit, me synim eliminimin e udhëheqësve të lartë të Hamasit.

Lideri i Hamasit në Gaza, Khalil al-Hayya, ishte objektivi kryesor i sulmit izraelit në Doha.

Ushtria izraelite tha se para sulmit u morën masa për të minimizuar dëmin ndaj civilëve dhe u përdorën municione precize. Mediat izraelite raportojnë se Presidenti amerikan Donald Trump i dha Izraelit miratimin e tij për sulmin ndaj udhëheqjes së Hamasit në Katar.

Një zëdhënës i Ministrit të Jashtëm të Katarit, reagoi në një deklaratë duke thënë se vendi dënon me fjalët më të ashpra sulmin, i cili sipas tij u krye në ndërtesa ku banojnë disa anëtarë të byrosë politike të Hamasit.

“Ky sulm kriminal përbën një shkelje flagrante të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe një kërcënim serioz për sigurinë e banorëve të Katarit”, thuhet në deklaratë.

Një burim i lartë i Hamasit tha se udhëheqësit e grupit u shënjestruan në Doha, ndërsa po diskutohej propozimi i Donald Trump për një armëpushim në Gaza.