Izet Mexhiti vazhdon të mbajë dy poste në Qeverinë VMRO–VLEN, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekologjisë, edhe pse tashmë është zyrtarizuar kandidat për kryetar të Komunës së Çairit në zgjedhjet e tetorit. Pyetjet janë të shumta: pse nuk jep dorëheqje nga funksionet ekzekutive dhe a ka frikë nga pasojat politike të një veprimi të tillë?
Në një prononcim për TetovaSot, Mexhiti pranoi se ka emëruar madje edhe pasardhësin e tij parakohe në ministri Bekim Sali, duke lënë të kuptohet se pret të ulet në karrigen e kryetarit të Çairit. Por gara është ende e hapur dhe jo aspak e lehtë. Kunderkandidati i tij, Bujar Osmani, gëzon jo vetëm një bazë të fortë elektorale në Çair, por edhe mbështetje të qartë nga shumë figura të rëndësishme të politikës evropiane.
Kjo e shton presionin mbi Mexhitin: nëse fiton, ai do të justifikojë kalkulimet e tij; nëse humb, çfarë do të ndodhë me dy pozicionet qeveritare që ende i mban? A do të vazhdojë të qëndrojë në to, apo humbja do të detyrojë një dalje të dhimbshme nga skena qendrore?
Kjo dilemë nuk është vetëm personale, por edhe politike, sepse prek kredibilitetin e VLEN si parti që kërkon të shfaqet ndryshe nga rivalët e saj.