Ish ambasadori i Shqipërisē nē RMV: Nacionalizmi si antishqiptarizëm

Qeveria aktuale në Maqedoninë e Veriut ka mbi pesëmbëdhjetë muaj në pushtet, pa folur për njëzet e katër vitet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të vitit 2001, por dhe si themel mbi të cilin ndërtohet shteti dhe ku plotësimit të të drejtave të shqiptarëve u hapej një dritë e re. Pavarësisht atyre arritjeve që njihen, jo gjithçka është realizuar. Mokra e paragjykimeve nuk është ndalur. Ajo frenon ndryshimet e duhura në Kushtetutën e vendit, shqiptarët, kur është fjala për disa vende elitare në institucione të ndryshme, mbahen larg tyre, si në polici, në shërbimin informativ, në Akademinë e Shkencave etj. Çuditërisht, gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare, vazhdohet t’i vihen ngarkesa të shumta negative.Ende me vlerësime të tilla “qytetarë të dorës së parë dhe të dytë”, kur në qeverinë e sotme bën pjesë dhe koalicioni i shqiptarëve “Vlen”? Me urrejtjen ndaj shqiptarëve Maqedonia e Veriut do të identifikohet si komb europian?

Shkruan: Leonidha Mërtiri*

Në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, në fillimgushtin e sapo ikur, salla ku zhvillohej ndeshja në Kumanovë, papritur u pushtua nga thirrje naziste. Të rinj maqedonas, në kor korbash, kërkonin shfarosjen e shqiptarëve. Po ç’hynin shqiptarët  në këtë ndeshje të skuadrës maqedone me atë rumune? Dhe kjo nuk është rastësi. Sepse gjuha e urrejtjes ndaj bashkështetasve, fqnjëve të tyre rri ndezur përballë, por dhe ndën hirin e deklaratave të qeveritarëve dhe politikanëve maqedonas, duke kultivuar më tej pasionet e njohura nacionaliste.

Nacionalizmi si antishqiptarizëm, është transferuar në mënyrë të vazhdueshme te gjeneratat e reja. Kështu ndodh në Serbi, kështu ndodh në Maqedoni. Ndryshe nuk shpjegohet përsëritja e të njëjtave brohoritje, thirrjeve nacionaliste në stadiumin e Kumanovës “dhoma e gazit për shqiptarët”, “mrtov shiptar, dobar shiptar(shqiptari i vdekur, shqiptar i mirë)”… Copy-paste e këtyre thirrjeve-kudo, në kohë të ndryshme, edhe në stadiumin në mes të Shkupit në ndeshjen e futbollit kohë më parë midis skuadrës maqedonase “Vardari” dhe asaj “Shkëndija” të shqiptarëve, në Kavadarc dhe kudo gjetkë në hapësirën e Maqedonisë së Veriut.

Pra, në vend që të inkurajohen sadopak arritjet për një bashkëjetesë normale, bëhet e kundërta. Aq më keq kur partitë politike, liderë të tyre, në forma të ndryshme i nxisin drejtpërdrejt ato. Të mos shkojmë më tej. Në ndeshjen që përmendëm në fillim të shkrimit, shikues dhe dëgjues i zellshëm pranë atyre të rinjve dhe korit antishqiptar ishte dhe kryetari i qeverisë Hristijan Mickoski, ministri i brendshëm dhe anëtarë të tjerë të qeverisë. Asnjë fjalë, asnjë reagim nga ata. Çfarë emri t’i vendosësh memecërisë së tyre? Retorikat e kryeministrit se, çka ngjau në Kumanovë “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vijnë”, mbeten fjalë në erë. Sepse, vështirë t’i ndahen rrugës së antishqiptarizmit.

Pak më shumë se një vit më parë, gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit parlamentare, kryeministri i sotëm që drejtonte partinë VMRO-DPMNE pas Nikola Gruevskit, tundëte dhe shkundëte kartën antishqiptare.  Vet ardhja e tij në krye të ekzekutivit pati për suport këtë kartë në rritjen e numrit të votave të maqedonëve, duke i dhënë fitore bindëse krahut nacionalist VMRO-DPMNE, deri atëherë në opozitë. Për fat të keq, investues deri diku në këtë fitore u bënë dhe shqiptarët, mbetur në rrugën e prapshtë të përçarjes, në vend të fuqizimit të përbashkët. Madje, këtij investimi i shërbeu dhe ndonjë lider i njohur i Kosovës, duke synuar defaktorizimin e shqiptarve përballë potencialit të njohur të tyre në këtë republikë. Ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE me në krye Mickoskin, vështirë t’i fashitë qëndrimet antishqiptare të tyre. Qeveria aktuale ka mbi pesëmbëdhjetë muaj në pushtet, pa folur për njëzet e katër vitet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të vitit 2001, por dhe si themel mbi të cilin ndërtohet shteti dhe ku plotësimit të të drejtave të shqiptarëve u hapej një dritë e re. Pavarësisht atyre arritjeve që njihen, jo gjithçka është realizuar. Mokra e paragjykimeve nuk është ndalur. Ajo frenon ndryshimet e duhura në Kushtetutën e vendit, shqiptarët, kur është fjala për disa vende elitare në institucione të ndryshme, mbahen larg tyre, si në polici, në shërbimin informativ, në akademinë e shkencave etj. Çuditërisht, gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare, vazhdohet t’i vihen ngarkesa të shumta negative. Ende me vlerësime të tilla “qytetarë të dorës së parë dhe të dytë”, kur në qeverinë e sotme bën pjesë dhe koalicioni i shqiptarëve “Vlen”? Me urrejtjen ndaj shqiptarëve Maqedonia e Veriut do të identifikohet si komb europian? Shqiptarët, së toku me maqedonët e kanë treguar dhe e tregojnë se vetëm të bashkuar forcojnë shtetin e përbashkët dhe jo mbi kalbësirat e paragjykimeve që shfaqen jo rrallë dhe kërkojnë të dobësojnë vendin. Në rastin konkret, qeveria e Mickoskit, sikurse dhe të mëparshmet, janë të të gjithë qytetarëve: të maqedonëve, shqiptarëve, dhe  pakicave të tjera që jetojnë në këtë vend. Pa barazi të tyre, shteti nuk mund të funksionojë.

*Ish-ambasador i parë i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut