Iluzioni i dukjes dhe e vërteta e qëndrueshme e pasurisë!

Nga Arian Galdini

Shqipëria është si një shtëpi e lyer rishtas, me bojë të freskët që shkëlqen në dritën e diellit, por me çati të shpuar dhe themele të ngrëna nga uji.

Nga jashtë duket e ndritshme, por brenda lagështia ka kapur trarët, muret janë mbushur me myk dhe pluhuri shpërndahet në çdo hap.

Ky është ligji i ekonomisë së pamjes, një ndriçim i rremë që mbulon një varfëri funksionale.

Një shtëpi nuk qëndron me bojë të re mbi muret e vjetër.

Ajo forcohet duke nisur nga çatia që ndalon shiun dhe nga themelet që mbajnë peshën.

Shqipëria është e detyruar të bëjë pikërisht këtë gjë, të heqë dorë nga fasadat dhe të investojë në struktura që i rezistojnë kohës.

Tatimi 30% mbi mallrat e luksit duhet të ridrejtohet tek kërkimi dhe arsimi.

Ky është mekanizmi që i dha Koresë së Jugut një transformim të jashtëzakonshëm, nga një vend i varfër në vitet ’60 në një fuqi teknologjike sot, sepse investoi mbi 4% të PBB-së në R&D (Research and Development – Kërkim Shkencor e Zhvillim).

Finlanda, me reformën e saj të arsimit publik, tregoi se një vend i vogël mund të ngjitet në majat e konkurrueshmërisë globale përmes shkollave dhe universiteteve të forta.

Izraeli, nga ana tjetër, është shembull se si lidhja e universiteteve me bizneset gjeneron start-up-e dhe teknologji që eksportohen në të gjithë botën.

Shqipëria ka potencial të ngjashëm në bujqësi dhe industri të vogla prodhuese.

Ajo duhet të ndjekë modele si Italia e Veriut, ku kooperativat bujqësore dhe industritë e përpunimit kanë krijuar produkte me origjinë të mbrojtur që mbahen si thesare kombëtare dhe eksportohen në mbarë botën.

Vetëm duke ecur në këto shtigje substanciale, Shqipëria mund të ndërtojë themelet e qëndrueshme dhe të sigurtë për të ardhmen.

Në Shqipërinë e sotme, krejt në rrenë e iluzion, pasuria po matet gjithnjë e më pak me atë që prodhon dhe gjithnjë e më shumë me atë që shfaq.

Një çantë Hermès, një Rolex i shndritshëm, një makinë 100 mijë euro bëhen vula statusi dhe peshojnë më shumë se një doktoraturë, më shumë se një laborator i pajisur, më shumë se një spital që shpëton jetë.

Thorstein Veblen e quajti këtë “konsum i dukjes” më shumë se një shekull më parë.

Sot, në epokën e Instagramit dhe të rrjeteve sociale, ai është kthyer në regjim të përditshëm, në një epidemi morale që e helmon brez pas brezi.

Trau i thyer

Prej vitesh, mbrojtësit e luksit përsërisin të njëjtën frazë: “Krijon punë, mban mjeshtëri, gjeneron treg dytësor.”

Kjo është bërë si një mantrë e gatshme për të justifikuar çdo shpenzim të tepruar në mallra të shtrenjtë e të panevojshëm.

Por kur përballë kësaj retorike vendosen shifrat e ftohta, fasada bie dhe duket qartë se bëhet fjalë për një argument bosh.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 3.9% në vitin 2024.

Në letër kjo shifër tingëllon pozitive, por parashikimi për vitin 2025 është vetëm 3.2%.

Ky ritëm i brishtë është i pamjaftueshëm për të mbajtur një vend që ende ka një borxh publik të lartë, një nivel të dobët produktiviteti dhe një varësi të theksuar nga importet.

Një ekonomi që ecën me një hap kaq të ngadaltë nuk mund të përballojë shpërdorimin e kapitalit në sende luksi, të cilat nuk gjenerojnë as kapacitete prodhuese, as punësim afatgjatë, as dije.

Situata bëhet edhe më shqetësuese kur shihen të dhënat për kërkim-zhvillimin.

Sipas Komisionit Europian dhe Eurostat, Shqipëria ka investuar vetëm 0.19% të PBB-së në R&D gjatë vitit 2024, duke u renditur e parafundit në Europë.

Në vitin 2023 ky nivel ishte vetëm 0.08%, ndërsa në 2022 kishte qenë 0.05%, pra një progres minimal, që s’mjafton as për të mbuluar hendekun me fqinjët.

Krahasimi me Bashkimin Europian e bën hendekun të dukshëm, pasi mesatarja e BE-së është 2.22% e PBB-së, ndërsa vendet lider si Gjermania dhe Suedia kalojnë mbi 3%.

Ky kontrast është dërrmues.

Shqipëria zgjedh të derdhë para në zbukurime të përkohshme, makina luksoze, orë dhe çanta, ndërkohë që laboratorët mbeten bosh, universitetet pa pajisje dhe industria pa inovacion.

Për shembull, një raport i Akademisë së Shkencave thekson se mbi 70% e pajisjeve laboratorike në universitetet publike janë më të vjetra se 20 vjet, çka i bën të papërdorshme për kërkime moderne.

Në të njëjtën kohë, eksportet shqiptare përbëhen kryesisht nga produkte bujqësore të papërpunuara dhe lëndë të para, me vlerë të ulët të shtuar.

INSTAT raportoi se në 2024 eksportet e mallrave bujqësore ranë me 4.6%, ndërsa importet e produkteve të përpunuara dhe teknologjisë u rritën me mbi 7%.

Kjo varësi e skajshme nga importet tregon boshllëkun që lë mungesa e inovacionit dhe investimit në prodhim.

Pa laboratorë modernë, pa qendra kërkimore dhe pa bashkëpunim mes universiteteve dhe industrisë, Shqipëria mbetet peng i ekonomisë së imitimeve dhe jo i krijimit.

Çdo euro e derdhur për një makinë luksoze është një euro e humbur për një pajisje laboratorike, një serë moderne apo një fabrikë që mund të hapte vende pune dhe të gjeneronte eksporte.

Ky është trau i thyer i shtëpisë sonë ekonomike.

Dhe ashtu si në një shtëpi, kur trarët janë të këputur, çdo shi i madh, çdo krizë ndërkombëtare, çdo goditje e jashtme e afron shembjen.

Nëse kapitali nuk shkon te themelet, fasadat nuk mjaftojnë për ta mbajtur në këmbë.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme mbi iluzione luksi, ndërsa realiteti i brendshëm shkon drejt kalbjes strukturore.

Çatia që zverdhet

Në pamje të parë, tregu i luksit duket si një ndërtesë e patundshme, i ndritshëm, i qëndrueshëm, gjithmonë në rritje.

Për vite me radhë, markat e mëdha ndërtonin mbi idenë se oreksit për luks nuk i vinte kurrë fundi.

Por edhe kjo çati po fillon të zverdhet.

Raporti Bain-Altagamma 2025 paralajmëron një ngadalësim të dukshëm, rritja e mallrave personale të luksit pritet të jetë vetëm 0–4%.

Kjo shifër është më e ulëta e dekadës së fundit, duke treguar se edhe vetë tregu që e ka ushqyer iluzionin e luksit po hyn në një fazë pasigurie.

Arsyeja është e qartë, konsumatorët e nivelit të lartë nuk janë më aq të gatshëm të paguajnë vetëm për logon.

Vogue Business raporton për një fenomen të ri: “value hacking”, një zhvendosje drejt kërkimit të vlerës reale dhe jo të shenjës së jashtme.

Në vend që të shpenzojnë për një çantë që kushton dhjetëfish vetëm sepse mban një etiketë, gjithnjë e më shumë konsumatorë kërkojnë cilësi, funksionalitet dhe qëndrueshmëri.

Për ta, luksi i vërtetë nuk është më logoja që shfaqet në sy të të tjerëve, por aftësia për të blerë diçka që ruan vlerë reale dhe afatgjatë.

Shembujt janë të shumtë, psh, në Kinë, që është tregu më i madh i luksit, shitjet ranë me mbi 8% në 2023, për shkak të krizës së pasurive të paluajtshme dhe uljes së fuqisë blerëse të klasës së mesme.

Në SHBA, kompanitë e luksit raportuan një tkurrje të kërkesës në tremujorin e parë të 2024, ndërsa konsumatorët elitë po shpenzojnë më shumë për udhëtime dhe eksperienca, e më pak për sende statusi.

Edhe në Europë, inflacioni dhe pasiguria ekonomike kanë frenuar konsumin e tepërt, duke e kthyer luksin nga simbol i fuqisë në një barrë të panevojshme.

Kur çatia e vetë burimit fillon të zverdhet, kur tregjet globale që dikur ishin garancia e luksit të pakufizuar po lëkunden, çfarë mund të fitojë një ekonomi e vogël imitimi si Shqipëria, që jeton nga hija e modës?

Nëse vendet e pasura po e braktisin dukjen për substancën, çdo investim i tepërt në luks në një vend të varfër nuk është thjesht shpërdorim; është vetëvrasje ekonomike.

Çatia që zverdhet është paralajmërim, nëse vetë maja e ndërtesës së luksit po venitet, atëherë çdo kat më poshtë, çdo imitim i vogël, çdo vend që ndjek vetëm modën, është i destinuar të pësojë shembjen shumë më shpejt.

Shqipëria, duke u ushqyer me simbole dhe jo me themele, rrezikon të mbetet pa strehë kur bie shiu i parë i krizës globale.

Muret që s’mbajnë peshë

Një shtëpi mund të ketë ngjyrë të bukur në fasadë, por nëse muret nuk mbajnë peshë, rrënimi është vetëm çështje kohe.

Ky është realiteti ekonomik i Shqipërisë. Shifrat janë të pamëshirshme, sipas INSTAT, importet u rritën me 2.5% në vitin 2024, ndërsa raporti i mbulimit të tyre me eksportet ra nga 50.4% në 2023 në vetëm 41.7% në 2024.

Me fjalë të thjeshta, Shqipëria po blen gjithnjë e më shumë mallra të huaja dhe po shet gjithnjë e më pak vlerë të prodhuar nga vetë duart e saj.

Kjo do të thotë se baza jonë prodhuese është e brishtë dhe muret që duhet të mbajnë peshën e ekonomisë janë të dobëta, të çara, të paqëndrueshme.

Në vend që kapitali të shkojë në zhvillim të bujqësisë, industrisë apo inovacionit, ai shkon te konsumimi i ornamenteve, makina luksoze, orë të shtrenjta, pajisje teknologjike të importuara.

Ndërkohë, eksportet mbeten të kufizuara kryesisht te produkte bujqësore të papërpunuara dhe minerale që shiten me çmime të ulëta, pa i shtuar vlerë ekonomisë.

Pamjet janë të thjeshta, por tronditëse.

Një fermer shet tokën për të blerë një orë luksoze, duke braktisur atë që mund të ishte një burim i qëndrueshëm prodhimi.

Një student largohet nga vendi sepse laboratorët universitarë janë bosh, pa pajisje moderne, pa mundësi për kërkim e zhvillim.

Një mjek operon pa oksigjen të mjaftueshëm dhe pa aparatura bashkëkohore, ndërsa në oborrin e spitalit parkohet një SUV i ri, simbol i statusit të fituar shpesh jo nga puna prodhuese, por nga pasuria e konsumuar.

Shembujt nga ekonomia e përditshme e thellojnë këtë tablo.

Shqipëria importon çdo vit mbi 70% të produkteve farmaceutike, duke lënë shëndetësinë në varësi të jashtme.

Në industrinë ushqimore, importet e produkteve të përpunuara si mielli, qumështi apo mishi i paketuar tejkalojnë shpesh eksportet e produkteve bujqësore vendase.

Edhe në sektorin e energjisë, ndonëse vendi prodhon energji hidrike, në dimër detyrohet të importojë me çmime të larta, duke krijuar kosto shtesë për familjet dhe bizneset.

Ndërkohë, eksportet kryesore mbeten mineralet e kromit dhe nafta bruto, pasuri që shiten pa përpunim, pa fabrika moderne, pa zinxhir vlerash.

Këto kontraste pasqyrohen qartë në Tiranën urbane. Qyteti është shndërruar në një vitrinë të rreme, ku kullat shumëkatëshe ngrihen njëra pas tjetrës si dekor skenik.

Qendrat tregtare mbushen me dyqane luksi, të cilat shesin mallra që pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk i përballon dot.

Në rrugë qarkullojnë makina me çmime marramendëse, ndërsa vetëm pak kilometra më larg fshatra të tërë vuajnë mungesën e infrastrukturës bazike, të ujit të pijshëm dhe të shërbimeve shëndetësore.

Tirana është bërë një pasqyrë që reflekton ndritjen e përkohshme të pakicës, por nuk ka aftësi të mbajë peshën e një kombi.

Ky nuk është zhvillim.
Ky është një teatër i sipërfaqes, një dekor i bukur mbi një strukturë që po rrëzohet.
Dhe ashtu si në një skenë ku muret janë prej kartoni, me erën e parë të krizës, gjithçka shembet bashkë me dekorin.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi orendi të huazuara dhe fasada të rreme; ajo duhet të forcojë muret e saj me prodhim, dije dhe institucione.
Përndryshe, do të mbetet pa shtëpi në stuhinë e parë globale.

Aseti i vërtetë

Në çdo shoqëri që ka ndërtuar themele të forta, fjala “aset” nuk është lidhur kurrë me sendin e shtrenjtë që shfaqet në dorë apo në rrugë.

Aseti i vërtetë është gjithmonë ai që krijon vlerë të qëndrueshme, që prodhon, që ushqen, që formon, që shëron.

Për Shqipërinë, aset është toka që punon dhe jep fryt, jo ajo që shitet për një kapriço. Aset është fabrika që eksporton mallra të përpunuara, jo ndërtesa luksoze që mbetet gjysmë bosh.

Aset është universiteti që përgatit gjenerata profesionistësh dhe krijon dije të reja, jo diploma të blera pa dije.

Aset është spitali që shpëton jetë me pajisje moderne, jo fasadat e lyera që fshehin mungesat bazike.

Një çantë Hermès apo një makinë 100 mijë euro janë thjesht relike sezoni, të destinuara të zëvendësohen sapo të dalë modeli tjetër.

Vlera e tyre nuk rritet, nuk ushqen ekonominë, nuk ndërton zinxhirë prodhimi.

Janë thërrime të shndritshne të një konsumi që nuk kthehet në mirëqenie kolektive.

Në të kundërt, një hektar tokë i punuar jo vetëm që ushqen një familje, por krijon tepricë për tregun, ul importet dhe rrit eksportet.

Një fabrikë përpunimi jo vetëm që jep vende pune, por rrit vlerën e produkteve vendase dhe i bën konkurruese jashtë vendit.

Një universitet me laboratorë të rinj nuk është thjesht godinë, por truall i së ardhmes, që përgatit inxhinierë, mjekë, shkencëtarë.

Një spital i pajisur me teknologji moderne nuk shërben vetëm për sot, por rrit jetëgjatësinë e qytetarëve dhe forcon sigurinë e shëndetit publik.

Shihni shembujt ndërkombëtarë.
Izraeli, një vend me territor të vogël dhe tokë kryesisht shkretëtirë, ka ndërtuar ekonominë e tij mbi inovacionin teknologjik dhe kërkimin shkencor.

Me investime të qëndrueshme në universitete dhe qendra kërkimore, ai është sot lider në teknologjinë e ujitjes, në “start-up”-et teknologjike dhe në eksportin e dijeve.

Ky është aset i vërtetë, njohuri që kthehet në kapital dhe në fuqi shtetërore.

Holanda, një vend më i vogël se Shqipëria për nga sipërfaqja, është sot ndër eksportuesit më të mëdhenj bujqësorë në botë.

Ajo nuk u mjaftua me tokën që kishte, por krijoi sera moderne, aplikoi teknologji të avancuara dhe e shndërroi bujqësinë në një industri kombëtare.

Të ardhurat që Shqipëria i harxhon për të importuar produkte bazike si gruri apo qumështi, Holanda i shumëfishon duke eksportuar produkte të përpunuara bujqësore në çdo cep të botës.

Edhe Koreja e Jugut është shembull i qartë, nga një vend i shkatërruar pas luftës në vitet ’50, sot është një ndër ekonomitë më të fuqishme të Azisë, sepse investoi në arsim, industri përpunuese dhe teknologji.

Ajo nuk u zhyt në iluzionin e sendeve luksoze, por e ndërtoi luksin e saj të qëndrueshëm mbi fabrikat e makinave, mbi kompanitë teknologjike dhe mbi eksportin e inovacionit.

Këto janë shembuj të aseteve të vërteta. Shqipëria nuk ka nevojë për orë luksoze dhe makina që shiten si status.
Shqipëria ka nevojë për tokë të punuar, për fabrika që shtojnë vlerë, për universitete që krijojnë dije dhe për spitale që mbrojnë jetën. Vetëm kështu ndërtohet pasuria e qëndrueshme.

Politika e pasqyrës

Sëmundja e dukjes nuk ndalet në tregje apo në shijet e konsumatorëve. Ajo ngjitet në arteriet e pushtetit, duke e kthyer politikën në një pasqyrë të zbrazët.
Në vend që të matet me reforma që ndryshojnë jetën e qytetarëve, suksesi matet me inaugurime televizive, me drone propagandistikë, me fjalë që shndrisin si fishekzjarrë dhe fiken pa lënë gjurmë.

Ky është mekanizmi i politikës së pasqyrës, krijon imazhe, jo përmbajtje; mbjell iluzione, jo zgjidhje.

Çdo qeveri që bie pre e kësaj sëmundjeje shndërrohet në një trup që jeton për kamerën.

Ajo sillet si regjisor i një shfaqjeje të pafundme, ku qytetarët mbeten spektatorë të lodhur.
Në vend të institucioneve të forta që garantojnë barazi dhe drejtësi, ofrohen ceremoni të shndritshme.

Rrugë të papërfunduara hapen me prerje shiriti, sheshe të lyera ngjajnë si mrekulli urbane, ndërsa pas kamerave banorët vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit, papunësinë dhe spitalet pa pajisje.

Një shoqëri e lodhur nga problemet reale gjen një qetësi të përkohshme në këto kartolina, por kjo qetësi është mashtrim i rrezikshëm.

Shembujt janë të shumtë. U pre shiriti për “Unazën e Re” në Tiranë, por projekti u mbërthye në kaos gjyqësor e protestash.

U prezantuan me madhështi “Bypass”-et e jugut, por pjesë të tyre mbetën të pazbatueshme për sezonin turistik.

U hapën me fishekzjarrë rrugë nacionale, ndërsa mijëra kilometra rrugë rurale mbeten ende baltë dhe zhavorr.

Madje edhe projektet madhore si inceneratorët u shitën si zgjidhje moderne për mjedisin, ndërsa sot janë kthyer në plagë fiskale me qindra miliona euro borxh për qytetarët.

Besimi publik digjet si karburant për këtë spektakël. Sa herë që premtimet përsëriten dhe realiteti ngec, një pjesë e besimit humbet përgjithmonë.

Qytetari fillon të mos e dallojë më ndryshimin midis fasadës dhe themelit.

Demokracia rrëshqet në një teatër ku aktorët ndërron kostumet, por skena mbetet e njëjtë.

Dhe si një shtëpi e rregulluar vetëm nga jashtë, por me themele të kalbura, edhe shteti duket modern në pamje, por brenda është i brishtë dhe i lëkundshëm.

“Fasada” si metodë, rasti Rama

Në Shqipëri, politika prej kohësh është kthyer në një skenë ku dekorët ndryshojnë, ndërsa drama mbetet e njëjtë.
Me qeverisjen e Edi Ramës, kjo logjikë u ngrit në metodë, skenografia, fasada dhe kartolina nga ajri u shndërruan në instrumente të përditshme pushteti.

Në vend të reformave të thella që ndryshojnë jetën e qytetarëve, u ndërtua një univers imazhesh, ku moderniteti paraqitet me drita, ngjyra dhe projekte të lyer, ndërsa realiteti gri mbetet i pandryshuar.

Në këtë model, kullat shumëkatëshe në Tiranë u shiten qytetarëve si “zhvillim”.

Por çfarë zhvillimi përfaqëson një grumbull betoni luksoz, kur shifrat tregojnë se borxhi publik arrin në 63.8% të PBB-së dhe se mbi 30 kontrata të partneriteteve publike – private, me një vlerë mbi 2.2 miliardë euro, janë cilësuar nga FMN si rrezik i lartë fiskal?

Pasqyra e ndritshme e qelqit fshihet nga hija e borxhit dhe e varësisë financiare.

Sheshet e lyer e të shtruara rishtas, të cilat hapen me ceremoni dhe prerje shiritash, paraqiten si “modernitet urban”.

Por pas fasadës, mjafton të largohesh pak nga kryeqyteti për të parë fshatra pa ujë të pijshëm, rrugë rurale të shkatërruara dhe shkolla që shemben nga mungesa e mirëmbajtjes.

Moderniteti i shesheve është një dritë e rreme, e cila nuk shuan varfërinë strukturore që vazhdon të gërryejë themelin e vendit.

Universitetet publike janë një tjetër shembull i qartë i kontradiktës mes fasadës dhe substancës.

Ndërsa qeveria projekton imazhe të kampuseve “modernë”, brenda tyre laboratorët mbeten me pajisje mbi 20 vjet të vjetra, të papërshtatshme për standardet minimale të kohës.

Rinia e ikur drejt Europës është dëshmia më e fortë se bojërat nuk mjaftojnë, studentët nuk duan fasada, por dije dhe mundësi.

Në sektorin e shëndetësisë, fasada është kthyer në një barrë të rëndë ekonomike.

Kontrata e sterilizimit i kushtoi shtetit rreth 100 milionë euro, me një kosto 53% më të lartë se sikur shërbimi të kryhej nga spitalet me aparaturat ekzistuese, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ndërkohë, shumë spitale të tjera mbetën pa pajisje bazike, duke dëshmuar se paratë shkuan për të ushqyer skenografinë financiare, jo për të shpëtuar jetë.

E njëjta logjikë vlen edhe për koncesionin e check-up-it, i cili për dhjetë vjet shpenzoi mbi 120 milionë euro për vizita rutinë me efekt minimal në shëndetin publik.

Sipas ekspertëve, mjekësia familjare mund t’i kryente këto vizita me një kosto shumë më të ulët, por ajo nuk ofronte shfaqjen që ofronin shifrat e fryra dhe ceremonitë politike.

Ndër skandalet më të rënda janë inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, të cilët kanë marrë mbi 430 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Dy prej tyre funksionojnë pjesërisht, një mbetet i papërfunduar, por pagesat kanë vijuar si të ishin projekte të realizuara.

FMN dhe Banka Botërore i kanë cilësuar shembull klasik të rrezikut fiskal nga PPP-të, duke treguar se pas fasadës së “menaxhimit modern të mbetjeve” fshihet një skemë e rëndë korrupsioni dhe grabitjeje.

Në çdo rast, fasada nuk mbulon dot boshllëkun.
Të gjitha këto projekte, që në pamje të parë shndrisin, në thelb gërryejnë financat publike, ulin cilësinë e shërbimeve dhe shtojnë varësinë ekonomike.

Shqipëria shpenzon për kartolina, por harron të ndërtojë themelet, bujqësinë, industrinë përpunuese, arsimin, kërkimin shkencor.

Moderniteti nuk vjen me fasada të lyer.

Një vend nuk bëhet i fortë me kulla bosh, me sheshe të ndritshme dhe me kontrata të errëta që i kafshojnë të ardhmen. Moderniteti i vërtetë lind nga themelet, nga toka që prodhon, nga industria që eksporton, nga universiteti që krijon dije dhe nga spitali që shëron.

Ky është, në fund, teatri Rama, një skenografi që blen kohë, por shet të ardhmen e vendit.

Dhe historia nuk i fal ata që sakrifikojnë themelin për dekorin. Shqipëria nuk ka më luksin të jetë spektatore në këtë teatër të rrezikshëm, ajo duhet të zgjedhë midis fasadës që shndrit për një çast dhe substancës që mban peshë për breza.

Riparimi, nga çatia te themelet

Një shtëpi nuk mund të qëndrojë vetëm me bojë të re në mure apo me drita që shndrisin nga jashtë.

Ajo riparohet duke filluar nga çatia që nuk lejon shiun të hyjë dhe nga themelet që mbajnë peshën e saj.

Shqipëria është në të njëjtin pozicion: nëse nuk kthehet tek baza e vërtetë e zhvillimit, çdo përpjekje e saj për të ndriçuar në pamje të parë do të jetë e përkohshme, një lyerje që pikon me shiun e parë.

Riparimi i shtëpisë kombëtare kërkon masa të qarta, të guximshme dhe të pakthyeshme. Së pari, tatimi 30% mbi mallrat e luksit dhe të shenjës është një instrument i domosdoshëm.

Çdo qindarkë e mbledhur nga ky tatim duhet të ridrejtohet në kërkim shkencor dhe në arsim.

Sepse një orë Rolex nuk sjell dije, por një laborator i ri universitar prodhon studentë të aftë, profesorë që hulumtojnë, patenta që mund të komercializohen dhe teknologji që rrit produktivitetin.

Shqipëria nuk mund të mbetet vendi me nivelin më të ulët të investimeve në kërkim në Europë, në 0.19% të PBB-së.

Brenda pesë viteve, shpenzimet duhet të shkojnë të paktën në 1% të PBB-së, që do të thotë një buxhet i ri prej qindra milionë eurosh për dije.

Së dyti, duhet ligj i detyrueshëm për lidhjen organike mes universiteteve dhe bizneseve. Dija që mbetet vetëm në letra është një pasuri e humbur.

Nëse universitetet nuk kanë lidhje me industrinë, studentët dalin nga auditorët të papërgatitur për tregun e punës dhe kompanitë mbeten pa fuqi inovative.

Shqipëria duhet të krijojë një sistem të ngjashëm me atë të Gjermanisë, ku universitetet teknike bashkëpunojnë ngushtë me industrinë për të zhvilluar teknologji dhe produkte që eksportohen globalisht.

Së treti, bujqësia dhe industria prodhuese duhet të rikthehen në qendër të ekonomisë.

Një vend që importon pjesën më të madhe të ushqimeve që konsumon është i pambrojtur ndaj krizave globale.

Kapitali duhet të shkojë tek toka që ushqen, tek industria që përpunon produktet vendase dhe i jep atyre vlerë të shtuar.

Shqipëria ka potencial të madh për bujqësi biologjike, për fruta e perime që mund të eksportohen në tregjet e BE-së, por ky potencial shuhet kur fermerët e braktisin tokën sepse shteti i braktis ata.

Së katërti, ndërprerja e projekteve fasadë është një domosdoshmëri.

Sheshe të shtruara për zgjedhje, kulla luksi për klientelë të ngushtë, inceneratorë që marrin miliona euro por nuk funksionojnë, të gjitha këto janë karton i dekorit.

Kapitali duhet të shkojë në rrugë që lidhen me zonat rurale, në ujësjellës që furnizojnë fshatrat, në spitale që kanë pajisje dhe staf të përgatitur, në shkolla që formojnë qytetarë me mendim kritik e aftësi profesionale.

Riparimi nga çatia tek themelet do të thotë kthim tek logjika e qëndrueshmërisë.

Është investim në institucione që i rezistojnë kohës, në arsim që hap horizonte, në shkencë që krijon inovacion, në bujqësi që ushqen popullin dhe në industri që siguron pavarësi ekonomike.

Shqipëria nuk ka nevojë për fasada që ndryshojnë me stinët, por për struktura që rrinë të pathyeshme për breza.

Ky është projekti i themelit: një vizion që zgjedh substancën mbi pamjen, forcën mbi zbukurimin, qëndrueshmërinë mbi shfaqjen.

Çdo rrugë tjetër është iluzion.

Dhe iluzioni, njësoj si bojë që pikon me shiun e parë, zhduket, duke lënë pas një shtëpi më të brishtë se më parë.

Universalja e shtëpive të lyera

Nga Tirana në Lagos, nga Delhi në Meksiko, një fenomen i njëjtë po përshkon botën, iluzioni i pamjes që zëvendëson substancën.

Është një dukuri globale, ku fasadat po kthehen në normë dhe themelet lihen pas dore.

Në shumë vende, qeveritë dhe shoqëritë nuk matin më suksesin me forcën e institucioneve, me cilësinë e arsimit apo me qëndrueshmërinë e ekonomisë, por me pamjen që ofrojnë në ekranet televizive apo në rrjetet sociale.

Fotografia e bukur bëhet më e rëndësishme se reforma reale, droni që kap një shesh të ndritshëm vlen më shumë se investimi në shkolla, një kullë luksoze ka më shumë peshë se një spital i pajisur.

Ky është universaliteti i rremë i “shtëpive të lyera”.

Në Lagos ndërtohen projekte madhështore që shfaqen si simbole moderniteti, ndërsa lagjet e të varfërve nuk kanë as ujë të pijshëm.

Në Delhi ndërtohen stadiume dhe komplekse luksoze për të treguar fuqi, ndërsa mijëra fëmijë studiojnë në klasa të improvizuara nën çati të rrënuara.

Në Meksiko, rrokaqiejt e qelqtë rriten në mes të qyteteve të pasura, ndërsa zonat periferike luhaten mes varfërisë dhe dhunës.

Edhe në Tiranë, e njëjta logjikë funksionon: kulla të reja shumëkatëshe ngrihen si kartolina zhvillimi, ndërsa laboratori universitar dhe fshati bujqësor mbeten jashtë kohe.

Kombet që zgjedhin dritat e skenës përpara mureve mbajtës janë si aktorë që kujdesen për kostumin, por harrojnë tekstin e dramës.

Për pak çaste duken të bukura në fotografi, por brenda janë të brishta, të cenueshme dhe të pambrojtura.

Historia na mëson se lavdia e përkohshme e fasadave zbehet shpejt, ndërsa vetëm themelet e forta, arsimi, drejtësia, puna e ndershme, institucionet, i japin një shoqërie jetëgjatësi.

Prandaj, “shtëpitë e lyera” janë paralajmërim universal.
Nuk është Shqipëria e vetme që tundet mes shkëlqimit të rremë dhe substancës së munguar.
Është një ligj i kohës sonë.

Pyetja është, cilët popuj do të guxojnë të zgjedhin themelet dhe cilët do të mbeten të burgosur në pasqyrën e iluzioneve?

Thirrja e fundit

Shqipëria ka mbërritur në një udhëkryq që nuk mund ta shmangë më.
Përpara saj qëndrojnë dy rrugë të kundërta, njëra është ajo e fasadës së lyer, e qetësimit me vetëshpjegime, e iluzioneve të shkurtra që shiten si modernitet, por që lënë pas varfëri strukturore dhe varësi të përhershme.

Tjetra është rruga e themeleve të forta, e prodhimit, dijes dhe institucioneve që e mbajnë një vend në këmbë edhe kur rrethanat janë të vështira.
Ky është momenti kur historia kërkon një vendim.

Të dhënat nuk lënë vend për iluzione.

Rritja ekonomike 3.9% në 2024 dhe parashikimi i zbritjes në 3.2% në 2025 tregojnë një ritëm të brishtë, i paaftë të përballojë shpenzime të kota në mallra të shenjës.

Investimi në kërkim dhe zhvillim është vetëm 0.19% e PBB-së, duke e vendosur Shqipërinë në fundin e tabelës europiane.

Mesatarja e BE-së është 2.22%, ndërsa Gjermania e Suedia shkojnë mbi 3%.

Çdo vit që kalon në këtë hendek, Shqipëria humb një brez të tërë mundësish.

Kapitali që shkon te substanca është kapital që rrit të ardhmen.

Një euro e investuar në arsim, në kërkim, në bujqësi apo në industri kthehet në shumëfish përmes produktivitetit dhe qëndrueshmërisë.

Një euro e shpenzuar në fasada, në luks apo në projekte boshe, është një euro e humbur që nuk kthehet kurrë.

Kapitali që shkon te pamja rrit vetëm varësinë, duke e mbajtur vendin peng të importit, të borxhit dhe të propagandës.

Historia ofron mësime të qarta.

Civilizimet që mbijetuan nuk e ngritën lavdinë e tyre mbi pasarela dhe logo, por mbi ura që lidhën njerëzit, mbi universitete që formuan breza, mbi shtete funksionale që garantuan drejtësi dhe siguri.

Roma e lashtë nuk u bë e pavdekshme nga arenat e gladiatorëve, por nga rrugët, akueduktet dhe ligjet.

Britania e madhe e shekullit XIX nuk e ndërtoi fuqinë mbi pallatet e zbukuruara, por mbi industrinë dhe shkencën.

Sot, kombet që investojnë te substanca ecin përpara, ndërsa ata që mbështeten te imazhi mbeten prapa.

Shtëpia jonë ende mund të riparohet. Themelet nuk janë zhdukur, por janë lënë pas dore.

Ende kemi tokë pjellore, ende kemi rini me energji, ende kemi mendje të ndritura që kërkojnë mundësi.

Ende kemi mundësi të rikthejmë prodhimin si motor të ekonomisë, arsimin si themel të qytetarisë dhe institucionet si garant të drejtësisë.

Çatia ende mund të ndreqet, trarët mund të forcohen, muret mund të rindërtohen.

Por për këtë nevojitet guxim politik dhe vizion kombëtar, jo dekorime të përkohshme.

Koha, megjithatë, nuk pret. Ajo rrjedh si ujë që gërryen gurin.

Çdo vit që kalon me fasada të pikturuara është një vit i humbur për themelet.

Çdo brez që rritet me iluzione e ka më të vështirë të besojë te substanca.

Nëse sot zgjedhim të pikturojmë sipërfaqe, nesër historia do të na pikturojë si brez që shiti themelin për shkëlqimin e rremë.

Zgjedhja është sot. Jo nesër, sepse nesër do të jetë vonë.

Nesër, themelet mund të jenë aq të kalbura sa të mos mbajnë më.

Nesër, koha mund të na ketë kaluar përpara, duke na lënë në margjina.

Sot është dita për të zgjedhur substancën mbi pamjen, themelin mbi fasadën, të ardhmen mbi iluzionin.

Dhe ky është testimi i madh i Shqipërisë. Nëse e kalojmë, shtëpia jonë do të qëndrojë për breza.
Nëse jo, do të mbetemi një imazh i bukur në foto dhe një strukturë e rrënuar në realitet.

Arian Galdini