Ibrahimi tha se Lufta e UÇK-së nuk ka ndryshuar asgjë në Maqedoni! Bexheti i reagon ashpër Zeqrija Ibrahimit

Deklarata e Zeqirija Ibrahimit, se lufta e UÇK-së nuk ka ndryshuar asgjë në Maqedoninë e Veriut, ka nxitur reagime të forta. Një nga më të ashprit ka ardhur nga Blerim Bexheti i BDI-së, i cili e akuzon Ibrahimin për nënvlerësim të sakrificës së dëshmorëve dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e shqiptarëve.

Bexheti thekson se pa gjakun e të rënëve të vitit 2001, shqiptarët sot nuk do të gëzonin të drejtat që kanë – nga përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, te përfaqësimi politik dhe barazia qytetare. Ai i drejtohet Ibrahimit me fjalë të ashpra, duke i thënë se nëse nuk mbron këtë sakrificë, të paktën duhet të heshtë.

Deklarata e plotë e Blerim Bexhetit:

“Zeqirija Ibrahimi paska thënë se lufta e UÇK-së nuk ka ndryshuar asgjë në Maqedoni. Po dëshmorët, që sakrifikuan për liri, e dhanë jetën kot?!
Ti sot ke luksin të flasësh lirshëm pikërisht falë gjakut të atyre që ti po i nënvlerëson. Ke luksin të mbash fjalime në Kuvend, të jesh deputet, të jesh pjesë e jetës politike, të jesh në jetën akademike dhe të punosh aty ku je, vetëm sepse dikush tjetër, në vitin 2001, zgjodhi pushkën dhe jo heshtjen.

UÇK-ja nuk ishte aventurë, por sakrificë. Ishte gjaku i djemve dhe vajzave që refuzuan të jetojnë të shtypur, e jo si ti sot! Ishte dhimbja e nënave që sot mbajnë vetëm fotografi. Ishte gjaku i fëmijëve të vrarë, që u bënë simbol i lirisë. Pa këtë sakrificë, shqiptarët nuk do të ishin aty ku janë sot: me gjuhë zyrtare, me të drejta të barabarta, me përfaqësim politik dhe me dinjitet. Dhe pikërisht sepse ju sot mundoheni t’i zhbëni këto arritje, ju pengon kujtesa e luftës së vitit 2001!

Nëse nuk ke qenë pjesë e kësaj sakrifice, dhe nëse sot nuk e mbron, të paktën hesht – MBYLLE! Të paktën respekto ata që dhanë gjithçka që ti sot të jesh ai që je! Sepse mohimi yt nuk i prek ata, por të turpëron ty, nëse edhe të ka mbetur ndjenjë turpi.
Shqiptarët nuk harrojnë dhe nuk falin nënvlerësimin e gjakut të derdhur. Heshtja do të ishte më e ndershme se vetë-mohimi. Prandaj mbylle, z. Ibrahimi, sepse nuk je ti ai që mund të gjykosh madhështinë e UÇK-së.”