Në hapjen e shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN në Tetovë, njëri nga liderët e këtij koalicioni, Zeqirija Ibrahimi, ka vlerësuar lart punën e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit.
“Nuk mund të mos e them një fjalë të urtë sipas shembullit që ‘fshati i mirë nuk do kallauzë’. Unë do të kisha thënë se ‘Tetova e Bilallit nuk do kallauzë’. Ata që e mbajnë mend Tetovën katër vite më parë, dhe e shohin sot se si është ky qytet, e kanë shumë të qartë se gjitha sukseset i atribuohen emrit të përvetshëm: Bilall Kasami”, theksoi Ibrahimi.
Ai shtoi se tashmë është e qartë për të gjithë se Kasami kishte të drejtë që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur ai, Izet Mexhiti dhe Zeqirija Ibrahimi nuk ndodheshin në pozita të njëjta. “Sonte duhet ta pranojmë publikisht, ashtu siç e kishin pranuar Fan Noli e Faik Konica, por edhe Bej Vlora se kishte të drejtë Ahmet Zogu. Edhe ne sonte jemi këtu që të pranojmë se Bilalli kishte të drejtë atëherë dhe ka të drejtë edhe sot”, tha më tej ai.