I dërguari amerikan në OKB: SHBA-ja do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s

I dërguari i ri i Uashingtonit në Kombet e Bashkuara u zotua se shteti i tij “do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.

Këtë deklaratë ai e bëri më 22 shtator në mbledhjen emergjente lidhur me inkursionin e avionëve luftarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë.

NATO-ja ngriti në ajër avionët saj pasi tre avionë luftarakë rusë të llojit MiG-31 të premten hynë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe qëndruan për 12 minuta, duke shënuar një tjetër provokim të rrezikshëm. Moska ka mohuar se avionët e saj kanë shkelur hapësirën ajrore estoneze.

Estonia, anëtare e NATO-s, e thirri mbledhjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së “në përgjigje të shkeljes së qartë të hapësirës ajrore estoneze nga Rusia” dhe po ashtu kërkoi bisedime me aleatët e tjerë të NATO-s.

“Siç thamë edhe para nëntë ditësh, SHBA-ja qëndron me aleatët tanë në NATO në dritë të këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore. Ne duam që ta shfrytëzojmë këtë moment që të përsërisim, të theksojmë se SHBA-ja dhe aleatët do të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha ambasadori amerikan në OKB, Michael Waltz.

Ky inkursion erdhi pasi anëtarja tjetër e NATO-s, Polonia, tha më herët gjatë këtij muaji se dronë rusë kishin shkelur hapësirën e saj ajrore teksa po kryenin një sulm në Ukrainë. Varshava e cilësoi këtë “akt të agresionit”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fundjavës dënoi shkeljen e fundit të hapësirës ajrore duke u zotua se do të mbrojë Poloninë dhe shtetet e Baltikut në rast të një përshkallëzimi nga Rusia.

I pyetur nëse do të ndihmojë në mbrojtjen e shteteve të Bashkimit Evropian nëse Rusia intensifikon armiqësitë, Trump u tha gazetarëve: “Po, do t’i mbroj”.

Presidenti Trump ka bërë thirrje për paqe dhe i ka kërkuar homologut rus, Vladimir Putin, t’i japë fund luftës në Ukrainë, por Moska nuk ka dhënë sinjale se është e gatshme t’i bindet presionit amerikan.

Trump disa herë është shprehur se është i zhgënjyer me Putinin.

“Në kohën kur presidenti Trump dhe SHBA-ja janë përqendruar dhe kanë shpenzuar shumë kohë e përpjekje që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund, ne presim që Rusia të gjejë mënyra për të ulur tensionet e jo të rrezikojë zgjerimin” e luftës, shtoi Waltz në fjalimin e tij të parë para Këshillit.

Përveç Polonisë dhe Estonisë, edhe Rumania më herët gjatë muajit ka raportuar se një dron rus ka shkelur hapësirën e saj ajrore.

Fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po luan me zjarr me këto inkursione në hapësirën ajrore të NATO-s, teksa aleanca ka një pakt për mbrojtje kolektive./REL