Hakmarrje politike?! Tarraca e biznesmenit Sinan Idrizi rrënohet pas kalimit në ASH

Në Tetovë është shënuar një rast i dyshuar për hakmarrje politike ndaj biznesmenit dhe sportistit të njohur Sinan Idrizi. Vetëm disa ditë pasi u deklarua publikisht në mbështetje të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, Idrizi u përball me eskavatorët e komunës, që filluan rrënimin e tarracës së lokalit të tij.

“Tarraca ka qenë funksionale prej vitesh, njësoj si dhjetëra të tjera në qytet, por tani erdhi momenti i eskavatorit, në emër të ligjit, por selektivisht,” theksojnë nga rrethi i Idrizit.

Nga komuna pretendojnë se kanë ndjekur procedurë ligjore dhe kanë nxjerrë akt-vendim për prishje. Por për shumë qytetarë koha e ndërhyrjes flet më shumë se vetë dokumentet. “Në një Tetovë me rrokaqiej shumëkatësh pa leje dhe me qindra objekte ilegale, zbatimi i ligjit vetëm ndaj një rasti të caktuar është hakmarrje politike,” theksojnë burime lokale.

Sinan Idrizi nuk është një emër i panjohur për opinionin. Ai është kampion në kick-boxing dhe karate, një sipërmarrës i suksesshëm me disa restorante në Tetovë e Norvegji dhe drejtues i klubit sportiv “Shkëndija-HB”.

“Ky nuk është vetëm një qytetar i rëndomtë që i bie në sy komuna. Është sportist kampion, biznesmen i suksesshëm dhe motivues për shumë të rinj. Pikërisht për këtë, mesazhi i kësaj goditjeje është edhe më i qartë,” thotë një mik i afërt i tij.

Rasti ka hapur debat në opinion për mënyrën selektive të zbatimit të ligjit dhe lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me hakmarrjen politike.