Në seancën e sotme për rastin “Shtekli”, para Gjykatës Themelore Penale Shkup, dëshmoi eksperti i mbrojtjes, Gjorgjia Haxhi Angelkovski, i cili dha një vlerësim psikiatrik për të pandehurin Rade Trajkovski – Shtekli, i dyshuar për pjesëmarrje në shitje të organizuar të drogës, duke e vlerësuar atë si psikotik.
Haxhi Angelkovski e kishte vizituar Trajkovskin në burgun “Shkup”, ku intervista, sipas tij, kishte zgjatur më shumë se zakonisht. Në dëshminë e tij ai theksoi se gjendja e të pandehurit ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me ekspertizën e mëparshme që kishte bërë para shtatë deri në dhjetë viteve, kur tek Trajkovski ishte konstatuar epilepsi.
“Nuk është i njëjti person që e pashë tani në burg”, deklaroi Haxhi Angelkovski, duke theksuar se tek i pandehuri vërehen gjendje psikozash me karakteristika shizofrenike.
Sipas ekspertit, Trajkovski tregon besim në reinkarnim dhe pretendon se udhëhiqet nga një “mësues” i cili e transferon nga një trup në tjetrin. Përveç kësaj, ai beson në një person fiktiv i cili “i urdhëron se çfarë të bëjë dhe si të veprojë”.
“Nuk bëhet fjalë për një person të shëndoshë që imiton të çmendur”, theksoi Haxhi Angelkovski, duke shtuar se i pandehuri është i ftohtë, pa angazhim emocional, nervoz dhe paranojak – kishte vendosur kamera në shtëpi dhe ishte i bindur se e ndiqnin.
Mbrojtja pretendon se Trajkovski nuk është në gjendje ta ndjekë procesin gjyqësor, ndërsa prokuroria mbetet në qëndrimin se ai është apësikotik dhe i aftë të marrë pjesë në shqyrtim.
Në pyetjen e gjykatës nëse “Trajkovski është totalisht ‘jashtë vetes’”, eksperti u përgjigj negativisht.
Gjyqi do të vazhdojë më 5 shtator me dëshmitë e ekspertëve të propozuar nga prokuroria.
Gjykatësi Ilija Trpkov njoftoi se do t’i ballafaqojë ekspertët e të dyja palëve para se të vendosë nëse do të pranohet një nga ekspertizat ose do të urdhërohet një e re.
Akti i akuzës, i ngritur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi pothuajse njëvjeçar në të cilin ishin përdorur masa të posaçme hetimore. Fillimisht ishin përfshirë 16 persona, nga të cilët shtatë tashmë kanë bërë marrëveshje dhe kanë marrë dënime me burg nga 3 deri në 3,5 vjet.
Në seancën e mëparshme, gjithashtu katër të pandehur – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – paraqitën kërkesë për pranimin e fajësisë, pas së cilës gjykata mori vendim për ndarjen e procedurës penale.
Sipas prokurorisë, grupi ishte i organizuar mirë, me role të qarta – nga furnizimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Droga ruhej në banesa të marra me qira dhe shitej me çmime nga 4.500 deri 6.000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa provat kyçe ishin siguruar përmes sistemit “Cellebrite” për analizën e telefonave celularë, dhuratë nga SHBA.