Gaza, palestinezët marrin trajtim në tokë jashtë spitalit “Nasser” ku sistemi shëndetësor është shkatërruar
Në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, për shkak të mungesës së shtretërve dhe numrit në rritje të të plagosurve, palestinezët po marrin trajtim në dyshekë sfungjeri të shtruar në tokë në një tendë të ngritur në oborrin e spitalit “Nasser”, raporton Anadolu.
Që nga 7 tetori 2023, Izraeli po i vret palestinezët para syve të botës dhe po i privon ata nga mundësitë e trajtimit duke i shkatërruar sistemin e kujdesit shëndetësor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e medias e qeverisë në Gaza më 18 korrik, 38 spitale dhe 96 qendra shëndetësore janë bombarduar, shkatërruar ose kanë mbetur jashtë shërbimit. Një numër i kufizuar qendrash shëndetësore (si spitalet Al-Ahli Baptist, Shifa, Dëshmorët e Al-Aksasë dhe Nasser) po operojnë në Gazën veriore, qendrore dhe jugore.
Këto spitale shërbejnë si vende për shpëtimin e jetës për palestinezët, duke mbajtur shumë më tepër sesa kapaciteti i tyre normal. Spitali “Nasser, i shënjestruar për herë të fundit më 25 gusht, është mbushur përplot me të plagosur. Dhjetëra të plagosur që mbërrijnë në spital çdo ditë trajtohen në tenda të ngritura në oborrin e spitalit për shkak të kapacitetit të kufizuar të shtretërve.
Por, edhe në këto tenda për shkak të mungesës për shtretër, të plagosurit shtrihen në dyshekë të hollë sfungjeri të shtruar mbi gurë të zhveshur, duke krijuar një mjedis të mbipopulluar. Ndërkohë tërheq vëmendjen se shumica e të plagosurve janë ata që i nënshtrohen operacionit në krahë dhe këmbë.
– Hanë çfarë kanë në fatin e tyre: “Plumba ose ushqim”
Rami Hassan, një nga palestinezët e shtrirë në tokë në tendë, u vu në shënjestër të sulmeve kur shkoi në një të ashtuquajtur pikë shpërndarjeje të ndihmës humanitare, të operuar nga SHBA-ja dhe Izraeli, dhe u plagos në këmbë.
Ai thotë se njerëzit vriten ose plagosen në këto sulme. “Ne jemi të detyruar të shkojmë në këto pika shpërndarjeje. Nëse kemi fat, do të vijmë duke mbajtur miell mbi shpinë ose njerëzit do të vijnë duke mbajtur trupat tanë”, tha Hassan.
Hassani thekson se 20-30 njerëz vriten çdo ditë në qendrat e ndihmës. “Edhe u ofrojnë ndihmë edhe i vrasin. Ndihma në të cilën njerëzit vriten dhe plagosen nuk është ndihmë”, shtoi ai.
– Pajisjet mjekësore në spital nuk mund të përmbushin kërkesën në rritje
Hassani u ankua për pamjaftueshmërinë e ambienteve të trajtimit në spital. “Nuk ka mjekë. Ata po bëjnë më të mirën që munden. Ata kryejnë 50-60 operacione në kocka çdo ditë”, shpjegon ai.
Më tej Hassani kritikoi botën, duke thënë: “Ku janë arabët, muslimanët dhe Evropa? Ku janë të drejtat e njeriut dhe humanizmi? Humanizmi di vetëm të na vrasë”.
– Spitali “Nasser” u shënjestrua më 25 gusht
Të paktën 22 palestinezë, përfshirë pesë gazetarë dhe pesë punonjës të kujdesit shëndetësor, u vranë në dy sulme të kryera nga ushtria izraelite në spitalin “Nasser” në Khan Younis, në jug të Gazës.
Në sulme u vranë fotoreporteri i Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i televizionit Al Jazeera me bazë në Katar, Mohammed Salameh; gazetarja për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabia dhe The Associated Press (AP), Maryam Abu Deqqa, gazetari i NBC News me bazë në SHBA, Moaz Abu Taha dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.
Ushtria izraelite mori përgjegjësinë për sulmin, por pretendoi se “nuk kishte shënjestruar drejtpërdrejt gazetarët”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u detyrua të lëshonte një deklaratë, duke pretenduar se incidenti ishte një “aksident tragjik”.
Pas reagimeve ndërkombëtare, zëdhënësi i ushtrisë Effie Defrin pretendoi se Hamasi po vepronte në spital ndërsa në një deklaratë të transmetuar nga kanali televiziv shtetëror KAN, Defrin thotë: “Ne po operojmë në një mjedis shumë kompleks”.