Francë, 675 persona të arrestuar në protestat kundër Macronit

Në protestat e mbajtura dje në Francë kundër presidentit Emmanuel Macron, janë arrestuar 675 persona, transmeton Anadolu.

Pas rënies së qeverisë së qendrës së djathtë të François Bayrou-t këtë javë, Sebastien Lecornu u emërua kryeministër i ri ndërsa vendi u bë skenë e protestave kundër politikave të Macronit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, rreth 200 mijë persona morën pjesë në protestat e mbajtura në 850 pika në të gjithë vendin.

Gjatë protestave, të organizuara nën sloganin “Blloko gjithçka” u arrestuan 675 persona, prej të cilëve 280 në Paris. Protestat u bënë skenë e ngjarjeve të dhunshme, veçanërisht në kryeqytetin Paris si dhe në Lyon dhe Rennes.

Protestuesit hodhën objekte të ndryshme drejt policisë dhe bllokuan rrugët me kosha të plehrave që u vunë flakën ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të ndërhyrë.