Flakët kërcënojnë Berovën – kryetari bën thirrje urgjente qytetarëve: Dilni dhe ndihmoni në shuarjen e zjarrit!

Një zjarr i madh ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në vendin e njohur si Garvanovo Andak në Berovë, duke alarmuar autoritetet dhe banorët. Kryetari i komunës, Zvonko Pekevski, ka bërë apel urgjent që të gjithë qytetarët të dalin dhe të ndihmojnë në shuarjen e flakëve së bashku me zjarrfikësit.

Sipas të dhënave nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Bërovë, të gjitha forcat janë tashmë në terren, të mbështetur edhe nga Shërbimi Pyjor i Maleshevës nga Berova dhe Pehçeva. Situata është kritike pasi zjarri po përhapet me shpejtësi drejt Gradishçes dhe Tërsavicës, duke rrezikuar pasoja serioze për shkak të pyjeve të dendura në zonë.

“Të gjithë qytetarët që kanë mundësi, të përfshihen aktivisht në shuarjen e zjarrit bashkë me zjarrfikësit për të ndaluar përhapjen e flakëve”, theksohet në thirrjen e kryetarit Pekevski.

Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, ky është i vetmi zjarr aktiv nga 12 të regjistruar sot në Maqedoni deri në orën 21:00./