Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Pedagogjisë i Universitetit Masarik nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Pedagogjisë i Universitetit Masarik (Republika Çeke), më 10 shtator 2025, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, i cili synon forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor mes dy institucioneve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, dhe Dekania e Fakultetit të Pedagogjisë të Universitetit Masarik, Dr. Simon Korychankova. Palët u pajtuan ta thellojnë bashkëpunimin në fushat e kërkimit shkencor, zhvillimit të materialeve mësimore, organizimit të konferencave dhe seminareve, si dhe realizimit të programeve të stazhit për mësuesit. Një theks i veçantë i vihet zhvillimit të praktikave inovative arsimore dhe psikologjike, veçanërisht në fushën e arsimit gjithëpërfshirës.
“Ne e vlerësojmë mundësinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të zbuluar perspektiva të reja së bashku me Universitetin Masarik,” theksoi Dekani Mehmedi.
Ky memorandum mbështetet në përvojën pozitive të pjesëmarrjes së përbashkët të dy universiteteve në projektet Erasmus+ dhe Visegrad+, duke hapur mundësi të reja për dialog akademik dhe duke kontribuar në qëndrueshmërinë e iniciativave të përbashkëta arsimore dhe shkencore.
Nënshkrimi i marrëveshjes përkoi me trajnimin ndërkombëtar “Mbështetja e arsimit gjithëpërfshirës dhe analizës së aplikuar të sjelljes (ABA)”, të mbajtur më 8–12 shtator në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit Masarik. Në trajnim morën pjesë profesorët e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës: Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, Doc. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi, Prof. Dr. Arita Agai, Prof. Dr. Arbëresha Zenki-Dalipi, si dhe Prof. Dr. Hana Saliu nga Fakulteti Filozofik.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit ndërkombëtar Visegrad+ “Drejt praktikave gjithëpërfshirëse dhe mbështetja e sjelljes pozitive në arsim dhe punë sociale”, i cili bashkoi universitete dhe institucione nga Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina. Programi përfshiu prezantime, punëtori praktike mbi ABA dhe zhvillimin e një kursi online për mësues, punonjës socialë dhe profesionistë të fushës.
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës shpreh mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë të Universitetit Masarik dhe për kontributin e kolegëve nga Ukraina, duke theksuar se ky partneritet forcon zhvillimin e përbashkët të arsimit gjithëpërfshirës në një kontekst ndërkombëtar.