Drejtoria e Doganave: Dragi Rashkovski ka tentuar të kalojë kufirin me 20.000 euro

Ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, ka tentuar të transportojë përtej kufirit një shumë më të madhe parash të gatshme sesa lejohet.

Për “Kanal 5” nga Drejtoria e Doganave sqaruan se incidenti ka ndodhur në pikën kufitare Novo Sello drejt Bullgarisë. Ai ka dashur t’i kalojë këto para përmes Kullës në anën greke. Në përpjekjen për t’i nxjerrë paratë në mënyrë të paligjshme, ai është ndaluar në pikën kufitare Novo Sello dhe paratë e tepërta i janë konfiskuar. Nga Doganat theksojnë se aktualisht po zhvillohet e ashtuquajtura procedurë valutore për rastin, ndërsa eurot janë gjetur në automjet, pranë levës së ndërrimit të shpejtësive.

Më herët Rashkovski në Facebook publikoi një demant, ku tha se nuk ka transportuar para në Greqi dhe se pretendimet në media janë të pavërteta.

“Në lidhje me disa shkrime të mediave se jam ndaluar në kufirin me Greqinë, kjo është absolutisht e pavërtetë. Bëhet fjalë për mjete të raportuara në mënyrë legale tek punonjësi i doganës me ekstrakt bankar, të cilat po futen në shtet, e jo që po nxirren. Ju lutem si media mos përhapni të pavërteta”, ka shkruar Rashkovski.