Drejtoresha e Shkollës Fillore “Penko”, Mevlide Kryeziu, në shtabin e VMRO-DPMNE-së

Muharem Hasani

Është për keqardhje dhe turp që një drejtoreshë e një institucioni me 1,800 nxënës, prej të cilëve 90% janë shqiptarë, del publikisht e proklamon politika të partisë maqedonase VMRO-DPMNE, parti që dihet për qëndrimet e saja antishqiptare.

Ky veprim është goditje e rëndë për imazhin e shkollës dhe shembull i keq për nxënësit, të cilët shohin se si udhëheqësja e institucionit të tyre bëhet zëdhënëse e një politike armiqësore ndaj vetë komunitetit që përfaqëson.

Në postimet e saj shihet qartë angazhimi partiak për kryetarin e komunës, Darko Kostovski. Kjo shkon përtej një simpatie politike, është servilizëm i pastër, i turpshëm dhe i dëmshëm. Të jesh pjesë e një politike të gabuar, të hartuar në shtabet e VMRO-DPMNE-së, dhe nga ana tjetër të drejtosh një institucion arsimor shqiptar, është çmenduri dhe papërgjegjësi e rëndë.

Të dashur qytetarë, prindër e nxënës,

Durimit po i vjen fundi! Më 19 tetor të gjithë bashkë duhet të ngrihemi kundër këtyre dukurive që po rrezikojnë të ardhmen e fëmijëve tanë. Brezat që po rriten janë amaneti ynë, nuk duhet të lejojmë që shembujt e servilizmit dhe nënshtrimit, si ky i drejtoreshës së përfolur, të bëhen model për ta.

Të mbrojmë vlerat kombëtare. Të mbrojmë kauzën tonë të pastër për shqiptari.