Piet Gispen Photography; portrait; art reproduction
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, ka zhvilluar një telefonatë me Drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Fleming, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit të Kushtetueses, biseda u fokusua në punën e deritanishme të Kushtetueses dhe rolin e saj në ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.
Rexhepi ka shprehur vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të kësaj gjykate.
“Kryetari Rexhepi e falënderoi z. Fleming për telefonatën dhe shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kjo telefonatë vjen disa ditë pasi Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sulmoi këtë gjykatë lidhur me vendimin për masë të përkohshme, pas kërkesës së Listës Serbe rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
Kurti tha se Kushtetuesja po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes.
“Në mes të mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të KP të VV’së, e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV’së. Meqë tash u zgjodh kryetari i kuvendit dhe 4 nënkryetarë gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së LS paarsyeshëm besoj dhe unë dhe kërkoi që 120 deputetë të republikës, merreni me mend, të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot”, tha Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV’së.
Kurti tha edhe se në 8 raste gjykata ka shpallur antikushtetuese vendime të qeverisë, duke vonuar vendimmarrjen mbi një vit në disa raste.
“Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon dhe qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e Republikës sonë. Në 8 raste me vendimet e tyre kanë penguar nisa reformuese qëllimmira të qeverisë duke i shpallur ato si antikushtetuese, në plot herë vendimmarrja e tyre ka vonuar mbi 1 vit. Një herë të vonojnë e pastaj të rrëzojnë”, ka deklaruar Kurti.
Pas këtyre sulmeve, ka reaguar edhe vetë Kushtetuesja duke i quajtur këto deklarata si të pamatura dhe duke shtuar se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.
Sa i përket vendimeve, Kushtetuesja ka thënë se ato bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit. Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues. Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, u tha në reagimin e Kushtetueses./Reporteri.net