Deputeti gjerman, Ahmetoviq: Vuçiq po e destabilizon Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi

Kohët e fundit, në opinionin politik gjerman, gjithnjë e më shpesh shfaqen shenja se establishmenti politik po fillon të largohet ngadalë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili shihej si garantues i sigurisë në rajon.

Kritikat në disa aspekte të qeverisjes së tij kanë qenë gjithmonë të pranishme, por Vuçiqi ka qenë tepër i rëndësishëm si për Berlinin, ashtu edhe për Brukselin në disa nga proceset më të rëndësishme të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, siç janë normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi si dhe mbajtja nën kontroll e Milorad Dodikut në Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës.

Ka edhe aspekte ekonomike, si për shembull fakti që Gjermania është investitori më i madh i huaj në Serbi, dhe kohët e fundit edhe çështja e bashkëpunimit strategjik për shfrytëzimin e litiumit në luginën e Jadarit, shkruan deutschewelle (në gjuhën serbe).

Por, së fundmi janë gjithnjë e më të dukshme shenjat se kjo “dashuri e interesit” mund të marrë fund, transmeton Telegrafi.

Gjatë një debati në Berlin para disa ditësh, zëdhënësi për politikë të jashtme i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Adis Ahmetoviq, nuk e fshehu zhgënjimin me zhvillimet në Serbi, por edhe në Bosnje-Hercegovinë ndërsa për destabilizimin e rajonit e fajësoi vetëm Vuçiqin.

“Vuçiqi është bërë një faktor destabilizues jo vetëm për Serbinë, por edhe për Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi”, tha ai gjersa kritikoi edhe Berlinin “se ka luajtur për vite me radhë me letrat e gabuara”.

Kritika në llogari të presidentit serb vijnë edhe nga partia qeveritare gjermane, gjegjësisht Partia e Gjelbër, e cila mund të ndikojë në politikën e jashtme të Gjermanisë përmes përfaqësuesve parlamentarë.

Përgjegjësi i Partisë së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është Boris Mijatoviq. Ai e akuzoi Vuçiqin se “pas 10 muajsh, tani po përpiqet të parandalojë protestat me forcë”.

Ndryshe, Vuçiq tash e disa muaj po përballet me protestat të fuqishme të studentëve dhe qytetarëve pas tragjedisë në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 16 persona si pasojë e rënies së strehës së stacionit hekurudhor.